Topalli vazhdon diversionin, seancën e së hënës e quan të jashtëzakonshmeNga TemaKryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, vijoi edhe dje provokimet e saj në drejtim të opozitës, duke deklaruar se do të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme të hënën
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Topalli vazhdon diversionin, seancën e së hënës e quan të jashtëzakonshmeNga TemaKryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, vijoi edhe dje provokimet e saj në drejtim të opozitës, duke deklaruar se do të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme të hënën për çështjen e Shkodrës. Ky qëndrim i saj vjen pas një deklarate të deputetit socialist, Ilir Beqja, gjatë emisionit “Top Story”. Ai bëri të ditur se opozita do të kishte qenë në Kuvend, në rast se në këto ditë të vështira ai do të ishte mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme.
Por Topalli ka bërë të ditur se Kuvendi do të mblidhet të hënën, ashtu siç e parashikon dhe kalendari, në një seancë të rregullt e aspak të jashtëzakonshme, por që Topalli pëlqen ta quajë të tillë. Kryetarja e Kuvendit nuk ka sqaruar se çfarë do ketë të jashtëzakonshme ajo seancë. Deputeti i opozitës kishte deklaruar se mbledhja duhej të ishte bërë në këto ditë të tragjedisë.
Ky qëndrim i Topallit vjen, pasi ajo u dërgoi një letër deputetëve të opozitës, duke u kujtuar atyre se është momenti që të kthehen në Kuvend, pasi konsumohet gjashtëmujori i parashikuar në Kushtetutë, që lejon mungesë në sallë.
Ajo e parashikoi këtë gjë gjatë një interviste.
“Shteti funksionon në bazë të ligjit të tij themelor, që e ka emrin Kushtetutë. Ajo që shkruan Kushtetuta, ajo duhet të zbatohet dhe të aplikohet që në ditën e parë, pa asnjë dyshim, pa asnjë hezitim. Po të mos e bënim këtë, atëherë ne s’do të ishim shtet, ne s’do të ishim shtetarë dhe ne s’do ta meritonim karrigen, në të cilën jemi. Kështu që në këtë aspekt, Kushtetuta vetëm duhet të respektohet”, - tha Topalli dhe e pyetur nëse kjo nënkupton zëvendësimin e mandateve, shtoi: “Këtë nuk e bën parlamenti, këtë e bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Parlamenti do të mbledhë Këshillin Legjislativ dhe Sekretariatin e Rregullores dhe të Imuniteteve, të cilët do të bëjnë verifikimin e datave, të afateve që shkruhen në Kushtetutë dhe do të vënë në dijeni KQZ.
Gjatë këtyre ditëve, unë, për shkak të angazhimeve të tjera, nuk kam komunikuar me deputetët, por shumë shpejt unë do t’u kërkoj atyre që të fillojnë të punojnë”.
Ndërkohë që brenda opozitës, grupimi Lëvizja për Mendim Ndryshe, tashmë më i reduktuar, prej kohësh ka artikuluar nevojën e hyrjes në Kuvend.
PS: Kërcënime antikushtetuese të Topallit, nuk ndryshojmë qëndrim
Deputetët socialistë reaguan ndaj letrës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke e quajtur atë një kërcënim antikushtetues.
Deputeti Saimir Tahiri tha se Partia Socialiste nuk tërhiqet nga vendimi i saj.
“Jozefina Topallit t’i vijë turp që përdor postin për të bërë diversion duke vazhduar gjahun e Sali Berishës për të joshur apo për të bërë presion mbi deputetët socialistë, përmes kësaj letre që nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim antikushtetues.
Sali Berisha ta harrojë se Partia Socialiste kthehet nga vendimi i saj mbi marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin.
Sali Berisha ta harrojë se PS do pushojë së kërkuari deri në fund hapjen e kutive dhe zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit.
Beteja e Partisë Socialiste është beteja e shqiptarëve për të shpëtuar nga pushteti i Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe të gjithë atyre që çalojnë mendërisht, kur flasin për Partinë Socialiste dhe mandatet e deputetëve të saj”, - tha Tahiri.
Deputeti shtoi se kjo është një përpjekje për të përdorur fatkeqësinë me veriun.
“Nuk janë mandatet e deputetëve që rrezikojnë të digjen, por është mandati i qeverisë së Sali Berishës që do digjet si një mandat që ushtrohet në mënyrë ilegjitime. Fatkeqësinë që i shkaktuan banorëve të veriut me babëzinë e tyre, nuk mund ta përdorin për të cenuar qoftë edhe një fije moralin dhe fuqinë e përpjekjes sonë të shpallur për të rikthyer demokracinë në këtë vend, duke kërkuar transparencën dhe hetimin e plotë të zgjedhjeve, deri në fund dhe me çdo sakrificë. Spekulimi me fatkeqësinë që u shkaktoi njerëzve të shkretë në veri për të bërë diversion ndaj opozitës, është ana tjetër e kësaj medaljeje të shëmtuar që i shtohet medaljeve për korrupsion, paaftësi klientelizëm, nepotizëm, dështim e plot të tjera që i qëndrojnë të varura në qafë Sali Berishës, Jozefina Topallit e mazhorancës së kthyer në çetë”, - tha Tahiri.
Ndërkohë, një tjetër deputete e opozitës, Arta Dade, tha se marrëdhëniet e Topallit me deputetët nuk janë individuale.
“Do të ishte mirë që zonja Topalli të bënte detyrën e saj si spikere e parlamentit dhe marrëdhëniet e saj me deputetët nuk janë individuale, por institucionale”, - tha Dade.