Qëllohet me grushte Krenar Ahmetaj gjatë një kontrolli
FUSHË - KRUJË- Qëllohet me grushte në mes të Fushë-Krujës shefi i Taksë Forcës, Krenar Ahmeti. Sipas burimeve policore, mësohet se Ahmeti ka mbërritur në orën 08.00 të mëngjesit në qendër të Fushë-Krujës, duke nisur edhe kontrollin dhe bllokimin e mjeteve që nuk kishin dokumentacione. Ndërsa ai ka ndaluar edhe Fatmir Stafukën nga Fushë-Kruja, që udhëtonte me një mjet tip benz. Ai ka nisur të debatojë me të, duke pretenduar t’i bllokonte mjetin e tij që, sipas Ahmetit, nuk kishte të gjithë dokumentacion. Kjo është kundërshtuar nga ana e Stafukës, ku pas debateve të ashpra mes tyre, i riu nga Fushë-Kruja, i ndjerë i fyer, ka qëlluar me grushte Krenar Ahmetajn. Në këto momente përreth vendit të ngjarjes janë mbledhur dhjetëra banorë të Fushë-Krujës, ndërsa policia është hedhur në sulm për të arrestuar të riun. Pas konfrontimeve fizike, policia ka mundur të ndalojë Ardian Stafukën, ndërsa mbledhja e dhjetëra banorëve para sheshit ku ka ndodhur ngjarja dhe para postës së policisë së Fushë-Krujës, ka bërë që Krenar Ahmeti së bashku me policët që e shoqëronin të largohej me shpejtësi nga Fushë-Kruja, duke ndërprerë edhe aksionin. Sipas burimeve nga komisariat i policisë së Krujës, mësohet se Fatmir Stafuka është djali i nënkryetarit të Qarkut të Krujës si dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Rrethit të Krujës. Ndërkohë që Fatmir Stafuka është mbajtur në polici, deri në mbrëmje duke e pyetur në lidhje me incidentin me Krenar Ahmetajn.
Reagimi i Sabah Stafuka
Sipas nënkryetarit të qarkut, Sabah Stafuka, ka qenë Ahmetaj dhe policët ata që kanë qëlluar mbi djalin e tij. Sipas t’et të Fatmir Stafukës, Sabah Stafuka, “ka qenë Krenar Ahmetaj së bashku me policët që e kanë futur djalin në polici dhe aty kanë vijuar dhunën ndaj tij”. Gjithçka, sipas tij, ndodhi gjatë një kontrolli të makinës ndaj djalit të tij. “Krenar Ahmetaj i ka marrë dokumentet e makinës djalit tim, duke pretenduar se nuk kanë qenë në rregull. Im bir u ka sqaruar se dokumentet e makinës që ai drejton janë në rregull, por në debat e sipër Krenari së bashku me 3 policë e kanë tërhequr djalin zvarrë dhe e kanë futur në rajonin e policisë së Fushë-Krujës, ku më pas e kanë qëlluar me pëllëmbë dhe e kanë rrahur”. Ndërkohë që pas një telefonate të zgjatur që ka kryer Sabah Stafuka me një nga titullarët e Ministrisë së Brendshme, situata është qetësuar para rajonit të policisë së Fushë-Krujës, ku i ati i të ndaluarit u ka kërkuar të rinjve dhe të afërmeve të tij të shmangnin incidentet dhe të largoheshin nga sheshi para rajonit të policisë.