E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia sekuestron 70 kg drogë, një në pranga

SHKRUAN: Bledar Shehu 28-12-2010 10:58

Gjirokastër- Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë goditur sërish një rast të trafikut të drogës me destinacion Greqinë, duke bllokuar një sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike si dhe kanë ndaluar njërin prej transportuesve të saj. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare në Gjirokastër, operacioni antidrogë është zhvilluar në zonën kufitare në vendin e quajtur Gryka e Bogazit. “Orët e para të ditës së hënë gjatë shërbimit në kufirin e gjelbër, në vendin e quajtur ‘Gryka e Bogazit’, afër piramidës 24 të kufirit, ne konstatuam tre shtetas të cilët kishin nga një çantë të madhe shpine, ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike, të cilët po ecnin drejt vijës kufitare me shtetin grek”, thonë burime në policinë kufitare në Gjirokastër. Menjëherë efektivat e Policisë Kufitare, të mbështetur edhe nga kolegët e tyre, janë vënë në ndjekje të tre personave. Gjatë veprimeve të saj patrulla e Policisë Kufitare ka arritur të kapë njërin prej transportuesve, 23-vjeçarin Adil Peshku nga Librazhdi, së bashku me çantën e shpinës. Sipas efektivave të kufirit, dy personat e tjerë duke përfituar nga terreni i thyer, moti i keq dhe errësirat kanë arritur t’i shpëtojnë ndjekjes së policisë, duke braktisur edhe çantat e shpinës. Nga veprimet e para grupi hetimor konstatoi se në çantat e shpinës kishte në total 60 pako me peshë të ndryshme, të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre ndodhej lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, e cila në total kapte shifrën e rreth 70 kg. Në bashkëpunim edhe me specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve efektivat e kufirit po vijojnë operacionin për kapjen e dy transportuesve të tjerë të ngarkesës me drogë. Sipas specialistëve të antidrogës, dyshohet që dy transportuesit e 70 kg marijuanë të jenë nga zona e Sarandës. Mbi të ndaluarin, 23 vjeçarin Peshku, rëndon akuza për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”. Kjo është hera e tretë brenda pak ditësh që strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës godasin tentativa të ndryshme të trafikimit të ngarkesave me drogë. Gjatë vitit 2010 nga ana e uniformave blu në Gjirokastër janë bllokuar rreth 4 tonë lëndë narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›