Qëlloi me pistoletë brenda një lokali, arrestohet i kërkuari
Shkodër-Një person i shpallur në kërkim për “tentativë vrasjeje” është arrestuar dje nga policia e Shkodrës. Forcat e policisë së Komisariatit të Shkodrës kanë bërë të mundur kapjen e 33-vjeçarit Vladimir Sokoli, i cili ishte shpallur në kërkim që nga 31 tetori i këtij viti për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Kanë qenë uniformat blu të Komisariatit të Shkodrës, që pasi kanë siguruar informacion për vendndodhjen e të kërkuarit në fshatin Bardhaj, kanë bërë të mundur kapjen e tij. Vladimir Sokoli dyshohet se në paraditen e 31 tetorit të këtij viti, rreth orës 09:10, në lagjen “Ndoc Mazi” të qytetit Shkodër, ka kanosur për motive të dobëta me armë zjarri pistoletë, por pa i shkaktuar dëmtime, shtetasin Gj.M., 43 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës. Të shtënat me armë zjarri kanë terrorizuar qytetarët që kalonin rastësisht në rrugë, të cilët kanë parë teksa një person qëllonte me pistoletë drejt një lokali. Ngjarja ka ndodhur pranë një kryqëzimi, në të djathtë të rrugës drejt vendit të quajtur ‘Ura e Thive’. Sipas dëshmitarëve okularë ditën e ngjarjes, një person që lëvizte në këmbë është parë të qëllonte me pistoletë drejt një lokali ku kishte disa klientë. Sipas dëshmive, personi i armatosur ka qëlluar dy herë në drejtim të një tryeze të lokalit dhe 5 herë në ajër. Më përpara ai ishte konfliktuar me një person në lokal dhe e ka kanosur atë me jetë. Pasi ka dalë nga lokali, autori ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar, por pa e dëmtuar objektin e tij. Më pas ai është larguar duke vrapuar.