E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 8 kg marijuanë në autobus, pranga transportuesit

Arrestohet pasagjeri që transportonte drogën me një nga valixhet e tij. Policia njofton se kishte marrë informacion paraprak mbi linjën e trafikut dhe personin që shoqëronte drogën

Kakavijë-Efektivat e Policisë Kufitare në Gjirokastër, në fundjavë kanë goditur një rast të trafikut të drogës në drejtim të Greqisë me autobus udhëtarësh. Gjatë veprimeve të saj policia ka sekuestruar ngarkesën me lëndë narkotike, si dhe ka ndaluar një pasagjer të dyshuar si transportues i saj.

Sekuestroja

Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit, mbrëmjen e datës 9 dhjetor 2011, efektivat e Policisë Kufitare të Kakavijës kanë marrë një informacion në rrugë operative sipas të cilit, “në një nga autobusët e linjës ‘Vlora Super Ekspres SH.P.K’, një i ri nga Vlora do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek”. Mbështetur në këtë informacion, blutë e kufirit kanë përforcuar shërbimet e kontrollit në Stacionin Kufitar të Kakavijës. “Gjatë gjithë mbrëmjes së të premtes ne ushtruam kontrolle të rrepta në të gjithë autobusët e linjave ndërkombëtare Shqipëri –Greqi, kryesisht të shoqërisë ‘Vlora Super Ekspres SH.P.K’”, - thotë një efektiv i Policisë Kufitare në Kakavijë. Rreth orës 22:00 të së premtes, në Kakavijë ka mbërritur autobusi me të cilin dyshohej se udhëtonte personi nga Vlora që po transportonte ngarkesën me lëndë narkotike. “Porsa autobusi i dyshuar i është nënshtruar kontrollit rutinë në mjediset e doganës së Kakavijës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm të të gjitha çantave dhe valixheve që ndodheshin në bagazhin e autobusit”, - thonë burimet policore. Gjatë këtij kontrolli, në bagazhin e autobusit policia ka konstatuar një valixhe me fund të dyfishtë, në të cilën ndodhej një pako e madhe, e mbështjellë me letër natriban transparente, ku brenda saj kishte rreth 8 kilogramë lëndë narkotike të presuar e llojit marijuanë.

Arrestimi

“Mbi bazën e biletës së valixhes që korrespondonte me biletën e pasagjerit, ne bëmë të mundur identifikimin e transportuesit të valixhes, i cili ishte pasagjeri Albano Merkaj 24 vjeç, nga Vlora”, - thonë burimet policore. Specialistët e antidrogës në Policinë e Gjirokastrës kanë bërë shoqërimin e tij për në policinë lokale, ku ai është intervistuar në lidhje me zbulimin e 8 kg marijuanë në bagazhet e udhëtimit të tij në drejtim të Greqisë. Mbi bazën e provave të mbledhura, policia e Gjirokastrës ka bërë ndalimin e 24-vjeçarit Merkaj për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Sipas grupit hetimor, ai ka qenë i dënuar edhe më parë me 6 muaj burg për vjedhje. Ngarkesa me drogë e sekuestruar nga policia po trafikohej nga Vlora në drejtim të Greqisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë vijon hetimet e mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›