E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi për hakmarrje, në burg Ylli Çenga

PESHKOPI - Mbrojtja e bërë para gjykatës se nuk kishte qëllim të vriste për gjakmarrje Jetmir Xhedikun, nuk e ka shpëtuar dje nga masa e sigurisë "burg pa afat" Ylli Çengën. 

 Babai i 10-vjeçarit që u masakrua vitin e shkuar në Peshkopi akuzohet për "vrasje të mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje". Ai u arrestua mbrëmjen e së martës, pasi sipas policisë qëlloi për të vrarë ndaj kushëririt të Shpëtim Zizës, personit të dënuar për krimin ndaj të birit. Bashkë me të u arrestua dhe i vëllai, Syri Çenga, të cilit iu gjet në banesë një armë kallashnikov pa leje. Masa e sigurisë u vendos dje nga Gjykata e Dibrës. Gjyqtarja dha këtë masë, ndërkohë avokati mbrojtës i vëllezërve Çenga e ka kundërshtuar vendimin duke u shprehur se, do ta dërgonte atë në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ismail Uka, avokat i Ylli e Syri Çengës është shprehur menjëherë pas vendimit të gjykatës së nuk është e vërtetë se "Ylli Çenga ka tentuar të vrasë me armë zjarri djalin e dajës së Shpëtim Zizës. Nuk ka asnjë provë a dëshmi ligjore të provojë fajësinë e klientëve të mi", ka deklaruar Uka. Procesi gjyqësor është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ashtu siç ndodhi në rastin e gjykimit të Shpëtim Zizës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bekim Çengës. Ngjarja e ndodhur të martën riktheu dhe një herë situatën e nderë në lagjen "Kamen" të Peshkopisë. Ndonëse dy fiset kërkuan pajtim mes tyre, babai i të miturit të vrarë barbarisht nuk ka pranuar ta falë gjakun e të birit. Ai e ka mohuar përballë drejtësisë se kërkon vetëgjyqësi, ndërsa familja e Jetmir Xhedikut pretendon se Ylli Çenga kishte hapur fjalë më parë se do të merrte hak.   e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›