E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dielli i merr jetën shtatzënës

Qëndrimi i gjatë në diell i ka kushtuar jetën një 27-vjeçareje shtatzënë në muajin e shtatë. 

VLORE / QEMAL BIRAKU

Ngjarja ndodhi dje në orët e mesditës, në një plazh privat në Vlorë, pranë Ujit të Ftohtë. Eriona Bishani, nga Elbasani kishte shkuar me familjen e saj për të kaluar pushimet në bregdet, por ndërroi jetë papritur. Të njëjtin fat pati dhe foshnja në bark, të cilën mjekët nuk arritën ta nxirrnin të gjallë. Sipas policisë, e cila shkoi në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të marrë nga spitali i Vlorës, ngjarja ka ndodhur disa orë pasi nëna e re bashkë me familjen po merrnin rreze. Viktima, sipas dëshmisë së familjarëve, por edhe të dëshmitarëve të tjerë që janë gjendur në plazh, kishte qëndruar fillimisht në diell e më pas është futur në det për t'u freskuar. Pasi është larë për disa minuta, vajza e re që priste të bëhej nënë ka dalë nga uji, pasi nuk ndihej mirë. Sapo është shtrirë në shezlonin e saj, 27-vjeçarja u ka shfaqur shqetësimin e saj edhe familjarëve. Ajo ka treguar se kishte dhimbje në të gjithë trupin, kryesisht në gjoks. Ndonëse janë munduar t'i japin ndihmën e parë vetë familjarët e saj, me mjete rrethanore, duke e freskuar edhe me ujë, situata është përkeqësuar. Kur kanë parë se gjendja e Bishanit sa vinte e rëndohej, e kanë çuar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës. Edhe gjatë rrugës, viktima ka shfaqur komplikacione, si marrje fryme apo dhimbje gjoksi. Mjekët e Vlorës janë munduar t'i japin ndihmën e parë. Madje, gjendja është alarmuar kur mjekët kanë konstatuar se pacientja e tyre ishte shtatzënë. Por me gjithë përpjekjet e bluzave të bardha të repartit të urgjencës, për ta shpëtuar nënën e re, ajo ka dhënë shpirt vetëm pak minuta pas mbërritjes. Për fat të keq, mjekët e Vlorës nuk mundën të shpëtojnë as fëmijën që ishte në muajin e shtatë.
Trupi i pajetë është dërguar më pas në morgun e spitalit, ku iu nënshtrua dhe ekspertizës mjeko-ligjore. Mjekët pohuan se dyshohet që qëndrimi i gjatë në diell e më pas futja në det me djersë, shkaqet që kanë krijuar komplikacionet kardiake tek viktima. Dyshimet e mjekëve vijuan më pas në përputhshmëri edhe me rezultatin mjekoligjor. Ekspertiza nxori si shkak të vdekjes së 27-vjeçares infarktin.
Eriona Bishani kishte ardhur në Vlorë për të kaluar një javë pushime. Ajo dhe familjarët e saj ishin vendosur që në mëngjes në plazhin e Zhironit. Por nuk ka mundur t'i rezistojë diellit të fortë dhe temperaturave të larta, të cilat i kanë dhënë komplikacione për shkak edhe të shtatzënisë, duke i marrë kështu jetën brenda disa minutash. Policia tha se vdekja ishte për shkaqe natyrore. Gjatë hetimit nuk rezultoi që në trupin e viktimës të kishte shenja dhune, apo fakte të tjera, të cilat të çojnë në dyshime për shkaqe të tjera të vdekjes së saj. Trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga morgu i spitalit të Vlorës nga familjarët e saj dhe më pas u nisën për t'i dhënë lamtumirën e fundit në qytetin e Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›