E Shtunë, 31 Tetor 2026

80 pyetje për Mediun

Dy prokurorët që morën në pyetje ish-ministrin e Mbrojtjes, mësohet se kanë përgatitur një listë me 80 pyetje. Në fokusin e hetimit është bindja e ushtarakëve që ish-eprori i tyre nuk respektoi ligjin dhe shkeljet e evidentuara nga organi i akuzës

TIRANË - Ashtu siç pritje, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u paraqit sërish në Prokurorinë e Përgjithshme, ku dha shpjegime për dy çështje kryesore, që sipas hetuesve e lidhin atë me mosmarrjen e masave që do të kishin parandaluar tragjedinë e 15 marsit. Megjithëse të rezervuar në dhënien e informacionit, burime konfidenciale thanë se ish-ministri i Mbrojtjes për afro tri orë iu përgjigj pyetjeve që kishin të bënin me një episod të veçantë të çështjes. Bëhet fjalë për aktet nënligjore që lidhen me kontratën e parë mes ndërmarrjes “Meico” dhe kompanisë amerikane “SAC”, ku ishte parashikuar çmontimi i municioneve të kalibrave 7.62-14.5 mm. Pikërisht këto urdhra dhe akte nënligjore, sipas prokurorëve, kanë krijuar tek ushtarakët, vartësit e tij, perceptimin për një proces të parregullt, ku ish-ministri Mediu kishte interesa të veçanta dhe se për realizimin e tyre, ai po shpërfillte aktet ligjore dhe nënligjore. Bindja e krijuar tek vartësit për parregullsi dhe interesat e veçanta të ish-ministrit të Mbrojtjes për realizimin e procesit të çmontimit, sipas burimeve, ishin dy pikat kryesore ku është përqendruar pjesa më e madhe e bisedës mes prokurorëve dhe z. Mediu. Burimet sqaruan se ish-ministri ka kundërshtuar me argumente, sipas tij bindëse, duke deklaruar se gjithë procesi është kryer konform rregullave dhe duke zbatuar të gjithë ligjet. Pjesa më kryesore e seancës së pyetjeve është përqendruar mbi interesat e veçanta që ish-ministri dyshohet se kishte për këtë proces. Edhe kjo çështje është kundërshtuar nga Mediu, i cili ka deklaruar se nuk kishte asnjë interes në procesin e demontimit të predhave, duke mohuar të ketë favorizuar subjekte private apo persona të tretë me këtë veprimtari që u realizua në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Por pavarësisht qëndrimit mohues të ish-ministrit të Mbrojtjes, grupi hetimor mësohet se po thellon hetimin në dokumentimin e tezës që, nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve, ish-ministri ka favorizuar subjektet private dhe personat e tretë. Dhe pikërisht zbardhja dhe dokumentimi i kësaj piste (favorizimi i të tretëve), sipas prokurorisë, do t’i japë një tjetër dimension hetimit, i cili mund të marrë një shtrirje të gjerë. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se dëshmia e ish-ministrit të Mbrojtjes, veç shpjegimeve të dhëna në mënyrë të lirë prej tij, është kushtëzuar edhe nga një numër i madh pyetjesh të përgatitura nga dy prokurorët. Numri i pyetjeve bazë për këtë çështje arrin deri në 80, pa përfshirë ndërhyrjet sqaruese në momente të veçanta. Burimet nuk mohuan faktin se, për t’u plotësuar dëshmia, ish-ministri i Mbrojtjes mund të thirret edhe gjatë ditëve në vazhdim në Prokurorinë e Përgjithshme.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›