Qëllon mbi kryetarin e komunës, plagos 3 vetë
Dashamir Kapaj, 35-vjeç, në tentativën për të qëlluar mbi kreun e komunës Frakull, Viktor Cervenaku plagosi 3 vetë
Konflikti për taksën e papaguar të tokës. Të plagosurit, mes tyre 1 polic, jashtë rrezikut për jetën
Fier-U nis të ekzekutonte me armë kryetarin e komunës, por plagosi tre personat që ishin me të, mes tyre edhe një polic. Ngjarja ndodhi në komunën e Frakullës, në Fier kur Dashamir Kapaj, banor i zonës, pas një konflikti me kreun e komunës, Viktor Cervenaku, ka dashur të hakmerret me armë. Nga të shtënat, mbetën të plagosur Roland Aliaj, polic në komunë, si dhe dy persona të tjerë, Eqerem Braçe dhe Romeo Kapaj, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Kreu i komunës, ka shpëtuar për mrekulli nga breshëria e armës së gjahut, që Kapaj mbante pa leje. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur ndalimin e autorit 35-vjeçar, pas 30 minutash.
Ngjarja
Ka qenë ora 10.30 e ditës së djeshme kur kryetari i komunës Frakull me disa persona të tjerë kanë shkuar për të parë punimet e rrugës Frakull-Kafaraj. Në këtë moment, shtetasi Dashamir Kapaj ka mbërritur aty me një mjet tip fuoristradë me targa të huaja. Sipas dëshmitarëve, ai ka dalë nga makina dhe është konfliktuar me kryetarin e komunës, Viktor Cervenaku, për problemin e pagesës së tokës dhe pasi e ka ofenduar me fjalë është larguar për në banesën e tij. Nuk ka vonuar shumë, kur ai është kthyer këtë radhë me armë gjahu dhe sapo ka zbritur nga makina ka nisur të qëllojë në drejtim të Cervenakut. Nga të shtënat mbetën të plagosur Roland Aliaj, polic në komunë; Eqerem Braçe dhe Romeo Kapaj. Pas kësaj ai ka vazhduar sërish të qëllojë dhe pranë vendit të ngjarjes ka qenë edhe xhaxhai i kryetarit të komunës, Idriz Cervenaku. «U mundova të vrapoja sapo dëgjova të shtënat, por nuk munda dot»- mësohet të ketë thënë ai. I moshuari ishte i operuar në shtyllën kurrizore dhe ka rënë në kanal, duke pësuar dëmtime të lehta. Ai, së bashku me tre të plagosuritështë dërguar menjëherë në spitalin e Fierit. Sipas mjekëve, të plagosurit janë mjekuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti
Shkak i konfliktit mes banorit dhe kreut të komunës janë bërë taksat e papaguara. Mësohet se para disa ditësh, shtetasi Dashamir Kapaj kishte shkuar në komunë për të marrë një dokument zyrtar për pagesën e tokës, ndërkohë nënpunësja pasi ia ka dorëzuar dokumentin i ka kërkuar pagesën e taksës. Banori nuk ka qenë dakord. Sipas kryetarit të komunës, Kapaj kishte shtatë vjet pa e paguar këtë taksë dhe këtë ia ka bërë të ditur. Këtu nis edhe sherri me fjalë e ofendime. "Jam ofenduar unë dhe personeli i administratës së komunës"- thotë Cervenaku, duke sqaruar se për këtë Kapaj ka bërë me faj pikërisht kreun e komunës. Sipas autorit, kreu i komunës fshihej pas pengimit për të marrë këtë dokument.
Policia
Forca të shumta të policisë të mbërritura në vendin e ngjarjes kanë arrestuar autorin pas gjysmë ore. Sipas nëndrejtorit të Policisë, Arjan Cuku, për kapjen e autorit dhe neutralizimin e tij janë kryer me profesionalizëm të gjitha veprimet, duke shtuar se ato janë kryer në kushte të larta rreziku për jetën e punonjësve të policisë. Sipas banorëve, duke u larguar ai ka qëlluar edhe në drejtim të shumë personave të tjerë, por nuk ka plagosur asnjë prej tyre. Materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme. Ndërkohë, sipas policisë, i arrestuari akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.