NATO : Gërdeci nuk ndikon në ftesën e samitit
Vendimi politik i NATO-s për t'i dhënë ftesë Shqipërisë këtë të enjte, nuk do të ndikohet nga ngjarja e ndodhur para disa ditësh në Gërdec, edhe pse aleanca është në dijeni të "incidentit" dhe premton të angazhohet për të ndihmuar Shqipërinë në këtë çështje. Kjo ishte deklarata e bërë nga zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturaj,dy ditë para fillimit të Samitit të NATO-s, i cili do të mbajë punimet e tij në Bukuresht të Rumanisë nga datat 2-4 prill. " Ne jemi të mirëinformuar për incidentin, megjithëse NATO nuk kishte lidhje me atë proces. Më parë kemi pasur në NATO, bashkëfinancime për shkatërrimin e municioneve të padëshiruara në Shqipëri. Dhe ato dy procese janë mbyllur. Ne jemi në dijeni me sfidat që përballet Shqipëria, kur bëhet fjalë për zhdukjen e minicioneve të vjetra dhe në të kaluarën kemi kontribuar për këtë."- u shpreh dje në një intervistë Apaturaj.Sipas tij opinioni publik duhet të jetë i qetë për këtë çështje, pasi është një parim i përgjithshëm, që krërët e shteteve anëtare të NATO-s nuk marrin vendime strategjike " të bazuara në një incident të pranuar si tepër tragjik."