E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizoi nga burgu rrëmbimin e ish-të dashurës, përgjimet prishin planin

Karabinierët italianë kanë arrestuar falë përgjimeve një shqiptar, i cili përmes telefonatave nga një mik që ndodhej në burg, duhej të rrëmbente të dashurën e këtij të fundit. Zbulohet dhe trafiku i narkotikëve

Itali-Telefonat e tyre ishin nën kontroll të plotë, pasi karabinierët donin të gjenin se kush urdhëronte djegien e disa bizneseve kohët e fundit, por në vend të kësaj ata dëgjuan fakte që hodhën dritë mbi një rrjet të trafikimit të drogës dhe planin për rrëmbimin e një vajze shqiptare. Prej këtij hetimi janë arrestuar dy shqiptarë rezidentë në Brandico, në zonën e San Martionos.

Telefonatat

Nga telefonatat e përgjuara hetuesit menduan fillimisht se bëhej fjalë për një bandë grabitësish. Këto biseda hapën një shteg tjetër hetimesh. Dolën në pah sidomos kontaktet mes një shqiptari dhe një italiani me precedent të mëparshëm penal. Këto kontakte mes tyre bënin fjalë për “çështje armësh”. Prokuroria ka nisur regjistrimin e çështjes penale menjëherë ndaj dy shqiptarëve Edison Çuni, 24 vjeç dhe Luis luka, 27 vjeç. Luka ndodhej në burg, por nëpërmjet Edison Çunit drejtonte gjithë punët e veta jashtë burgut. Dy shqiptarët dhe “porositë e tyre” u ndoqën dhe jashtë burgut në rrugë operative dhe karabinierët mundën të dokumentonin një dërgesë të vogël kokaine prej 55 gramësh. Në një kontroll në disa “vende të njohura “ për dy shqiptarët, policia italiane mundi të gjejë 270 gramë kokainë dhe 2700 euro. Por përgjimet e policisë italiane duket se shmangën dhe planin e dy shqiptarëve për të organizuar rrëmbimin e një shtetaseje shqiptare që është dhe ish-e dashura e të burgosurit Luka.

Plani i rrëmbimit

Bisedat telefonike dhe veprimet në terren të bashkëpunëtorit të Lukës bindën policët italianë se ishte krijuar terreni për ekzekutimin e rrëmbimit, ndërsa për 24-vjeçarin në liri nisi survejimi 24-orësh. Udhëzimet për rrëmbimin e vajzës shqiptare lidheshin me urdhrat e Lukës, i cili pretendonte nga bisedat telefonike se vajza i kishte dalë jashtë kontrollit dhe nuk po i bindej më urdhrave të tij për të kryer punët e tij jashtë burgut. Porsa shoku i tij u bë gati për rrëmbimin e vajzës së re, karabinierët ndërhynë dhe arrestuan në flagrancë dhe 24-vjeçarin Çuni. Nga telefonatat e bëra dhe të përgjuara rezulton se Luka ka dërguar kërcënime dhe tek familjarët e ish-të dashurës së tij në shenjë presioni, ndërsa zyrtarisht karabinierët u shprehën se një tjetër shqiptar 31 vjeç, bashkëpunëtor i Lukës, është shpallur në kërkim. Tashmë nga të dyshuar për vjedhje dhe djegie dyqanesh, tre shqiptarët kanë mbi supe akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe rrëmbim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›