E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qen parashutistë gati për në luftë



Forcat speciale të ushtrisë britanike po stërvitin prej kohësh qen parashutistë, të cilët mendohet të futen shpejt në radhët e betejave. Ata do të lëshohen nga avionët në zonat e nxehta, apo gjatë përleshjeve dhe betejave të ndryshme për të ndihmuar ushtarët britanikë që të jenë fitues ndaj armikut. Raca e përzgjedhur e qenve për këtë mision nga specialistët është ajo e “pastorit gjerman”. Lajmin e pazakontë e ka zbuluar dhe e bën të ditur e përditshmja britanike “The Sun”, e cila citon edhe burimet e saj zyrtare në lidhje me këtë çështje. Qentë e stërvitur do të lëshohen nga lartësi prej gjashtë mijë metrash direkt e në linjat armike. Me telekamera, përgjuesa e transmetuesa satelitarë, si dhe me objekte të tjera të inkorporuara pastorët gjermanë do të transmetojnë imazhet e kampit armik direkt te qendra operative e ushtrisë britanike.
Mund të konsiderohen edhe më të mirë sesa robotët dhe shpikjet e fundit të teknologjisë. SAS-i britanik duket se beson dhe po investon shumë mbi “mikun më të mirë të njeriut”. Megjithatë anglezët nuk janë të vetmit që ju ka shkuar në mendje një gjë e tillë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Forcat Delta” kanë eksperimentuar mbi kafshë të ndryshme se cila do të ishte më e përshtatshmja për të ndërmarrë aksione të këtij lloji, me rrezikshmëri e përgjegjshmëri të një niveli kaq të lartë. Një zëdhënës i shërbimeve sekrete britanike i cituar nga e përditshmja “The Sun” lidhur me përdorimin e qenve për misione të tilla është shprehur: “Askush prej nesh nuk do që të vrasë qentë, por nëse do të na duhej të zgjidhnim mes jetës së një burri dhe asaj të një kafshe, natyrisht që prioritet mbetet e para.”
Qentë po stërviten që të parashutohen nga një lartësi prej 20 mijë këmbësh, e barabartë me rreth 6 mijë metra. Në kokoren e tyre do të jetë e montuar një mikrokamera e cila filmon gjithçka dhe e transmeton në kohë reale. Detyra e këtyre qenve do të jetë që të infiltrohen në zonat e nxehta dhe të zbulojnë të dhënat dhe potencialin luftarak të armikut. Misionet në të cilat këta qen të specializuar do të aktivizohen mund të jenë të pafundme duke nisur që nga sulmet apo bazat terroriste, deri te rastet e sekuestrimeve të njerëzve. Gjatë muajve të ardhshëm ndoshta kjo “armë” e re do të eksperimentohet edhe në Irak e Afganistan.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›