E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush rikonfirmon mbështetjen për pavarësinë



“SHBA-të janë një përkrahës i palëkundur i pavarësisë së Kosovës dhe gjithmonë do të jenë kundër ndarjes së saj”. Kështu ka deklaruar Presidenti amerikan Xhorxh Bush në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit në Shtëpinë e Bardhë. Bush në këtë takim historik për Kosovën, rikonfirmoi mbëshetjen e tij për pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit të ri. Çështje të tjera të diskutuara mes autoriteteve të larta ishin edhe ekonomia dhe aspiratat euroatlantike të Kosovës por edhe Serbisë. Ndërkohë presidenti kosovar Fatmir Sejdiu në fjalën e tij përshëndeti dhe falënderoi përzemërsisht presidentin amerikan për pritjen dhe mbështetjen e madhe të këtij shteti i cili është në muajt e parë të lindjes së tij. “Kosova do të jetë një vend demokratik dhe është e interesuar që të ketë një marrëdhënie të mirë me të gjithë botën si dhe me Serbinë. Jap një falënderim të jashtëzakonshëm dhe zoti e bekoftë Amerikën”,- ka deklaruar Sejdiu në konferencën e përbashkët. Gjithashtu një falënderim të veçantë për SHBA është dhënë edhe nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Në fjalën e tij Thaçi tha se “ne gjithmonë kemi besuar te SHBA-të dhe mbështetja e saj. Institucionet dhe populli i Kosovës ju përulet për respektin dhe ndihmën e dhënë atyre. Kosova po nderon një vend demokratik dhe vend të mundësive. Kosova do të ndërtojë raporte të shkëlqyeshme me fqinjët. Qëllimi ynë si shtet demokratik është të krijojë marrëdhënie të mira dhe të jetë shumë shpejt pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian”.
Krerët kosovarë premtuan se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të çuar përpara shtetin e Kosovës, për të krijuar një shtet të qëndrueshëm duke shlyer edhe detyrimet e saj. Takimi i Presidentit Bush me udhëheqësit e Kosovës është komentuar gjerë nga ekspertët. Daniel Server, ekspert i Institutit amerikan të Paqes mendon se kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë e cila konfirmon edhe një herë se Kosova është tashmë një vend që pranohet në bashkësinë e shteteve. Ndërkohë publicisti dhe analisti i njohur Blerim Shala e ka konsideruar vizitën e udhëheqësve kosovarë në Uashington si një rast të veçante për vendosjen në binarë të disa proceseve siç është njohja e Kosovës, vendosja e qëndrueshmërisë, çështja e integritetit tokësor, e krijimit të forcës së sigurisë dhe në përgjithësi ndërtimit të shtetit funksional.

Në Kosovë nis aplikimi për pasaportat, javën tjetër nis shpërndarja

Ka nisur dje në Kosovë aplikimi për pasaportat e reja të shtetit dhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme kanë bërë të ditur se janë kryer të gjitha përgatitjet e aplikacioneve të cilat janë dërguar në të gjitha komunat e Kosovës. Kontigjenti fillestar i pasaportave të prodhuara në Lajpcig, mbërriti në Prishtinë ku pritet të testohen brenda javës. Pasaportat e para që do t’u jepen shtetasve kosovarë javën e ardhshme do të jenë katër llojesh: të zakonshme, diplomatike, zyrtare dhe dokument udhëtimi. Shërbimet e dhënies së pasaportave nëpër komuna, për të qenë sa më efikase, kanë filluar që dje të punojnë me orar të zgjatur, 11 orë në ditë. Sipas ministrit të Brendshëm, Zenun Pajaziti, pasaportat do të jenë me cilësi dhe siguri të lartë, në përputhje me standardet europiane dhe të ICAO-s. “Ekziston një disponim pozitiv te shumë shtete, edhe te ato të cilat ende hezitojnë të njohin Republikën e Kosovës, që të na njohin pasaportat dhe dokumentet e tjera civile”,- është shprehur ai më herët në një konferencë shtypi, ku bëri publike të dhënat mbi procesin e prodhimit të pasaportave. Që nga paslufta (1999) kosovarët janë pajisur vetëm me dokumente udhëtimi të UNMIK-ut.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›