E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti maqedonas me rregullore të re. “Ngushtohet” përdorimi i shqipes



Rregullorja e re e Parlametit maqedonas e miratuar javën e kaluar nga partitë e maxhorancës VMRO-DPMNE dhe BDI, ka hyrë dje në fuqi zyrtarisht. Qëllimi i Rregullores së re, sipas burimeve zyrtare nga Parlamenti është forcimi dhe efikasiteti i institucionit legjislativ. “Dispozitat e Rregullores së re, përcaktojnë punën e organeve të Parlamentit, forcojnë cilësinë e punës së trupave punuese në procesin e miratimit të ligjeve”,- thonë burimet.
Ndërkaq mësohet se rregullorja e re nuk parashikon përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe. Deputetët shqiptarë kanë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe gjatë fjalimeve të tyre në seancat parlamentare si dhe në komisione parlamentare, por nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe nëse komisionet udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të këtyre komisioneve parlamentare, gjithashtu ngushtohet hapësira e përdorimit të gjuhës shqipe edhe në planin e dokumentacionit dhe mbishkrimeve zyrtare në institucionin legjislativ. Me Rregulloren e re, mundësohet që në punimet e komisioneve të marrin pjesë ekspertë të jashtëm, për të siguruar kompetencë më të madhe profesionale gjatë miratimit të ligjeve. Gjithashtu sigurohet edhe më shumë privatësi në punën e institucionit legjislativ, dhe jo shumë ndërhyrje te opinionit në të. Një nga nënkryetarët e Parlamentit do të jetë nga rradhët e opozitës gjë që mundëson përfshirjen më të madhe dhe më aktive të saj në planifikimin e aktiviteteve parlamentare.

Serbi, Kuvendi pezullon punimet. Shkaku, propozimi e Jeremiç për ambasadorët
Kuvendi i Serbisë ka pezulluar punimet për dy javë pas debatit që shkaktoi vendimi i ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç për kthimin e ambasadorëve në vendet që kanë njohur Kosovën. Seanca e djeshme filloi me një debat të ashpër nga ana e deputetit të Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) Milosh Aligrudiç, i cili kritikoi propozimin e bërë publik nga ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, sipas të cilit ambasadorët e Serbisë duhet të rikthehen në vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Jeremiç veproi sipas porosive të shefit të tij, Boris Tadiç dhe vendosi të rikthejë ambasadorët tanë në vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës”,- u shpreh i revoltuar Aligrudiç. “Me këtë veprim ne jemi gjysmë hapi larg kapitullimit të plotë të Serbisë dhe një hap larg njohjes së Kosovës”,- tha ai duke i kërkuar ministrit të Jashtëm dhe presidentit të vendit shpjegime para deputetëve për këtë vendim. Ndërkohë, Sllobodan Samarxhiç (DSS), ish-ministër në qeverinë serbe për Kosovën tha se ky vendim ishte miratuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. “Rikthimi i ambasadorëve në vendet e Bashkimit Europian ëshë tregues i mungesës së seriozitetit të qeverisë dhe nuk ka të bëjë me integrimin europian, por është plotësim i kërkesave që vendet e Europës Perëndimore i kanë vendosur Serbisë”,- tha ai. Kryetarja e Parlamentit serb, Sllavica Gjukiç-Dejanoviç ndërpreu punimet e parlamentit dhe njoftoi pezullimin e tij për një periudhë dyjavore.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›