E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia ftesë Zanierit: Të bisedojmë për praninë ndërkombëtare në Kosovë



Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, i ka dërguar një ftesë shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier ku kërkohet fillimi i bisedimeve për praninë ndërkombëtare civile në Kosovë. Lajmi u bë i ditur nga burime të Ministrisë së jashtme të Serbisë të cilat kanë theksuar se bisedimet mund te fillonin që nesër në Beograd.
“Plani i Marti Ahtisarit nuk ekziston dhe asnjë mision në Kosovë nuk guxon ta implementojë këtë plan, të cilin Serbia e ka refuzuar dhe ky plan as që mund të jetë bazë për praninë e misionit të BE-së”,- është shprehur Jeremiç në një konferencë për gazetarë. Pas kthimit nga turneu ku ministri i jashtëm serb vizitoi Parisin, Moskën dhe Nju Jorkun, ai paralajmëroi fillimin e bisedimeve me Kombet e Bashkuara lidhur me praninë ndërkombëtare civile në Kosovë të rikonfiguruar kohët e fundit me urdhër të Sekretarit të Përgjthshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Autoritetet serbe kërkuan të hynin në bisedime për praninë ndërkombëtare pasi sipas tyre duhet Ban Ki Mun me këtë veprim kishte tejkaluar kompetencat e tij në Kosovë.

Frid: “Suksesi ekonomik i Kosovës varet nga qeveria e saj”

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Europën, Daniel Frid është shprehur se suksesi ekonomik i Kosovës varet nga ato që do të bëjë qeveria e saj dhe jo nga kundërshtimi i vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Gjatë një interviste, Frid theksoi se SHBA-të do të vazhdojnë angazhimin në të gjitha fushat në Kosovë dhe vërejti se pjesëmarrja e amerikanëve në misionin EULEX në Kosovë është diçka që ndodh për herë të parë. “Ne na vjen keq që Rusia nuk ka luajtur një rol konstruktiv. Qëndrimi rus ka shërbyer për të forcuar krahun radikal serb. Por në planin afatgjatë nuk mendoj se do të ketë ndikim të madh për të ardhmen e Kosovës. Ekonomia e Kosovës do të varet nga qëndrimet dhe masat që do të marrë vetë qeveria e Kosovës, biznesmenët e Kosovës dhe jo nga qëndrimi i Rusisë. Konferenca e donatorëve në Bruksel ishte një sukses i madh dhe siguroi rreth 2 miliardë dollarë ndihma. Ky është një fillim i mirë. Tani i takon qeverisë të zhvillojë infrastrukturën, të tërheqë investimet e huaja dhe të vërë në lëvizje ekonominë. Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më pak të afta do të jenë forcat e jashtme për shkaktuar probleme”, -theksoi Frid. Duke shprehur qëndrimin e qeverisë amerikane, ai përshëndeti qeverinë e Kosovës për arritjet e saj, që pas shpalljes së pavarësisë, siç ishte miratimi i Kushtetutës dhe ligjeve të paketës Ahtisari, si dhe masat që Kosova të jetë shteti i të gjithë banorëve të saj.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›