Qendër argëtimi tek ish-kinema Dajti
Qendra multimediale tek ish-kinema “Dajti” do të jetë gati brenda një kohë të shkurtër. Ajo do të ofrojë një sërë shërbimesh kulturore për të rinjtë. Në këtë kuadër, kryebashkiaku Edi Rama inspektoi dje punimet për rikonstruksionin dhe kthimin e ish - kinema “Dajtit”, në një qendër komunitare e cila do të jetë në shërbim të grupmoshave të reja në kryeqytet. Ndërtesa i është nënshtruar një rikonstruksioni tërësor. Sipas Ramës, ngritja dhe funksionimi i qendrave të tilla do të shtrihet në të gjithë kryeqytetin. “Nga një strukturë e degraduar tërësisht, e një kinemaje të vjetër dhe të dalë jashtë përdorimit, kjo po kthehet në një hapësirë të re komunitare, e cila do të jetë në shërbim të të rejave, të rinjve dhe fëmijëve për aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, si dhe për të marrë mësime të ndryshme në fushat e krijimtarisë”, tha kryebashkiaku.