E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, kushtet për hapjen e tregut mes dy vendeve

Shkëlzen Maliqi rrëfen për studentët e UET-it mënyrat e hapjes së tregut arsimor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pse Shqipëria ka bërë një hap përpara me rankimin nga një kompani e huaj dhe pse bashkëpunimi duhet të jetë në rangun e përmirësimit të ofertave për studentët.

Politikani, analisti, filozofi dhe kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës komenton nga Prishtina rreth zhvillimit të universiteteve private në Shqipëri e Kosovë, anët e mira, por edhe ato të shumëdiskutuara mbi sistemin alternativ të arsimit të lartë, mundësitë për bashkëpunim në krijimin e standardeve dhe ofertave sa më cilësore mes universiteteve shqiptare në Kosovë e Shqipëri, për këmbimin dhe mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve, krijimin e qendrave studimore kompatibile, nxitjes së konkurrencës së shëndoshë dhe disa ide për përmirësimin e arsimit universitar në të dy shtetet.

Si e shihni zhvillimin e universiteteve private në Kosovë e Shqipëri?

Universitetet private janë kërkesë e kohës. Si edhe në botë, është dashur që të ndërpritet monopoli i universiteteve shtetërorë dhe publikë. Po kështu, me formimin e tyre plotësohet edhe nevoja për kapacitetet shtesë arsimore dhe konkurrencën, ku, për një pjesë të brezit që arsimohet, duhet të ekzistojnë edhe standardet dhe ofertat e reja dhe më fleksibile për studime, për ata që kanë mundësi që ta paguajnë çmimin, por edhe për talentet, që me aftësitë e tyre ekstra mund të sigurojnë bursa shkollimi nga burimet e ndryshme. Këto janë disa nga aspektet pozitive. Por, negative ka qenë mënyra strikte dhe pa rregulla e themelimit të universiteteve private, që në Kosovë (për Shqipëri nuk jam në dijeni) kanë qenë replika të zbehta dhe abuzive të universitetit publik. Por, në ndërkohë, janë bërë evaluimet dhe certifikimet kështu që tash ka më shumë rregull në punët e universiteteve private.

A mendoni se monopolet e kanë penguar në njëfarë mënyre zhvillimin e arsimit?

Po, përderisa kanë qenë monopole ideologjike dhe favorizuese për modelet e shkencës dhe të studimeve “dogmatike”, ku përjashtoheshin qasjet problematizuese dhe diversiteti i mendimit dhe teorive. Por, në aspektin e standardit shkencor dhe pedagogjik, mendoj se sistemi i vjetër, me gjithë dobësitë, ka pas më shumë rregulla dhe standarde. Ekzistonte autoriteti dhe ekspertiza në promovimet dhe gradimet. Sot ka më shumë improvizim në respektimin e kritereve për avancimet shkencore dhe pedagogjike, që është pasojë e mungesës së autoritetit që e jep vlerësimin meritor.

Nga ana tjetër, ekziston një lloj mentaliteti se disa universitete private kanë abuzuar duke kërkuar më shumë përfitime financiare sesa zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë. Sa e vërtetë është kjo dhe sa ndikon në zhvillimin e arsimit të lartë?

Në këtë fenomen mendova edhe unë kur thashë si përgjigje pyetjes paraprake se universitetet private në Kosovë kanë qenë replika të atij publik. Disa profesorë të Universitetit të Prishtinës kanë abuzuar me detyrën pedagogjike, duke dhënë mësim edhe në dy ose tre universitete private. Disa prej atyre projekteve kanë qenë thjesht marrëveshje e grupeve të profesorëve nga UP që të hapin degët konjukturale të studimeve në universitetet private vetëm për të marrë paga shtesë. Ata kanë ofruar po ato përmbajtje që i kanë përsëritur pa ndryshime, me vite të tëra në universitetin publik. Për këtë arsye në Kosovë ka munguar transparenca se kush është stafi i universiteteve private, e edhe sot është kështu.

Përsa i përket bashkëpunimit në arsimin e lartë Shqipëri-Kosovë, si mund të arrihet krijimi i një sistemi arsimor të përbashkët shqiptar?

I përbashkët? Ky formulim më duket problematik, tingëllon sikur duhet ta bëjmë një sistem unik, sikur te ata që kërkojnë që të kemi një abetare për të gjithë shqiptarët, dhe pastaj një sistem edukativ unik. Mendoj se duhet të ketë bashkëpunim në krijimin e standardeve dhe ofertave sa më cilësore, në këmbimin dhe mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve, në krijimin e qendrave studimore kompatibile, por edhe të nxitjes së konkurrencës së shëndoshë. Shqipëria ka bërë një punë të mirë që e ka angazhuar një instancë neutrale për evaluimin e cilësisë së universiteteve dhe ka nxjerrë një rang-listë se cili universitet është më i miri. Kjo ndihmon në ngritjen e cilësisë dhe ofertës. Kur studenti paguan, ai duhet ta dijë se cila është vlera e diplomës, por edhe te cilët profesorë i merr dijet dhe shkathtësitë.

Çfarë hapash konkretë mund të ndërmerren për përmirësimin e arsimit universitar shqiptar? Mendoni se ka nevojë për përfshirjen e disa mekanizmave të rinj për rritjen e cilësisë së mësimdhënies brenda universiteteve? Cilët mund të jenë ata?

Mendoj se çështja e përmirësimit të arsimit universitar nuk është diçka që ne duhet ta zbulojmë nga e para. Ato i kanë zbuluar sistemet e avancuara arsimore. Duhet të aplikojmë standardet botërore më të avancuara të evaluimit. Puna pedagogjike dhe shkencore duhet të vlerësohet objektivisht nga komisionet përkatëse, por edhe nga studentët. Disa universitete në botë, në fund të çdo viti akademik, marrin mendimin e studentëve për çdo pedagog, dhe caktojnë nivelin e pranueshmërisë për ligjëruesit. P.sh. nëse studentët vlerësojnë punën e profesorëve ku nota maksimale është 10, universitetet mund të caktojnë pragun e cilësisë së profesurës. P.sh. nëse një ligjërues e ka notën më pak se 8 ose 7.5, përjashtohet nga mësimi. Në universitetet më prestigjioze amerikane nuk u vazhdohet kontrata disa profesorëve më pak të ranguar edhe nëse i kanë notat e larta, p.sh. 9.5, që praktikisht është niveli i ekselencës, por janë në konkurrencë me elitën pedagogjike të vendit.

Përsa i përket disiplinës së shkencave sociale, vihet re një rënie e interesit të të rinjve për të studiuar në to. Si mund ta ringjallim dëshirën e studentëve drejt këtyre shkencave në Shqipëri e Kosovë?

Nuk mendoj se shkencat sociale në përgjithësi nuk janë atraktive për brezin e sotëm. Disa disiplina janë tejet konjukturale, si p.sh. Psikologjia. Problemi është ndoshta te perceptimi aktual i të rinjve se disiplinat si Sociologjia, Filozofia etj. nuk janë më atraktive dhe sidomos se nuk sigurojnë profesion të qartë dhe punë. Mungojnë edhe publikimet dhe revistat popullarizuese për shkencat sociale.

Z. Maliqi, ju njiheni për pasionin që keni për artin bashkëkohor. A mund të na thoni diçka më shumë rreth punës dhe përpjekjeve që po bëni për përhapjen e tij?

Në vitet ’90 i kam ndihmuar artistët bashkëkohorë nga Kosova, deri sa punoja në Fondacionin Soros, por interesimet e mia janë më të hershme, nga vitet ’70, kur kisha miq një grup artistësh konceptualë në Beograd. Dhe kur fillova bashkëpunimin me artistët e Kosovës: Sokol Beqirin, Mehmet Behlulin, Erzen Shkolollin dhe të tjerët, kuptova se në Kosovë nuk kemi kritikë të artit bashkëkohor, kështu që fillova të shkruaj vetë, dhe janë bërë tani për një goxha vëllim që edhe mendoj ta botoj. Pastaj e kam vazhduar punën me artin jo si angazhim kryesor, por si kontribute të shpeshta anësore, duke bashkëpunuar me Mehmet Behlulin edhe në organizmin e kurseve dhe të ekspozitave të artistëve të rinj. Kemi një skenë shumë interesante të artit bashkëkohorë në Kosovë, por që përkrahet pak këtu nga institucionet vendore. Kështu është edhe në Shqipëri. Por unë besoj se kur të bëhen bilancet dhe vlerësime në të ardhmen jo shumë të largët, ky art do të zë vendin e spikatur në krijimtarinë e tabanit shqiptar. Puna ime ka qenë dhe është që të jap kontribut në kuptimin dhe vetëdijesimin për vlerat e brezit të sotëm të artistëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›