Qendra Kombëtare e Artit merr në dorë projektet
Këtë të enjte, projektligji “Për artin”, ndërtuar mbi rishikimin e ligjit “Për artin skenik”, mendohet të dërgohet në Komisionin Parlamentar të Medias. Për këtë arsye, grupi i punës së Ministrisë së Kulturës që ka punuar me këtë projektligj dhe vetë ministri Ferdinand Xhaferaj, kanë iniciuar një tryezë të rrumbullakët për të “vjelë” sugjerimet e përfaqësuesve institucionalë, shoqatave artistike, sindikatave apo edhe artistëve të pavarur. Takimi në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk përfshiu në masë palët e interesuara, ndërsa të pranishmit thuajse mbështetën të gjithë iniciativën për të implementuar këtë ligj që, sipas tyre, do të garantojë bazën ligjore për mirëfunksionimin e institucioneve dhe të artistëve. Në fjalën e marrë, u ndalën shkurtimisht në sugjerime që i gjykuan të nevojshme, për të cilat ministri garantoi se do të merreshin parasysh. Financimet, funksionimi i institucioneve të reja, bordet dhe aplikimi për projekte, kanë qenë disa nga mendimet e hedhura në tryezë. “Nevoja e shndërrimit të këtij ligji nga ligj i artit skenik në atë të artit, erdhi si rezultat i mangësive që u vunë re gjatë zbatimit të ligjit nr. 9631, të 2006-s, i cili përfshinte vetëm dy fusha të artit, teatrin dhe muzikën”, ka thënë në fjalën e tij ministri Xhaferaj. Veç ndryshimeve apo shtesave në aktet nënligjore të mëparshme, projektligji “Për artin” do të rregullojë funksionimin e dy institucioneve të reja, Teatrit të Komedisë dhe Cirkut e në të njëjtën kohë funksionimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës, e parashikuar të ketë statusin e institucionit të varësisë. Si arritje e këtij ligji u theksua detyrimi financiar që bashkitë e rretheve do të kenë kundrejt institucioneve të tyre teatrore. Bëhet fjalë për teatrot që kanë më shumë se 50 vjet veprimtari, të cilët do të përfitojnë të parashikuar me ligj 30% nga granti i bashkive për kulturën. Sipas ministrit, kjo masë është ndërmarrë duke parë mungesën e vëmendjes të drejtuesve vendorë ndaj këtyre institucioneve. Ndryshimet në këtë ligj parashikojnë po ashtu një VKM për mënyrën e financimit të projekteve artistike, të cilat deri më tani janë kryer me një VKM të vitit ‘93 dhe parashikimi që për subjekte private të artit, të cilat regjistrohen si shoqëri tregtare (kompani teatrore apo filarmonike) dhe që kanë një veprimtari artistike të pasur, parashikohet subvencion nga fondi buxhetor, masa e së cilës përcaktohet me VKM. Shpërblimi i artistëve për institucionet e varësisë po ashtu është parashikuar me një VKM të veçantë, e përmirësuar më parë.
Qendra Kombëtare e ArtitSigurisht që krijimi i Qendrës Kombëtare të Artit ka qenë argumenti më i diskutuar. Funksionimi, financimi apo edhe mënyra se si do të aplikohet me projekte e si do të përzgjidhen ato fitueset, kanë nxitur të pranishmit në këtë takim të kërkojnë sqarime apo të japin edhe sugjerime. Ngritja e një qendre, e specifikuar për artin skenik, ishte parashikuar edhe në ligjet e mëparshme, por nuk ishte zbatuar në asnjë rast. Qendra Kombëtare e Artit do të ketë statusin e institucionit të varësisë nga Ministria e Kulturës. Ministri Xhaferaj e ka quajtur këtë si një mundësi që “MTKRS-ja të mos jetë më një fondacion që shpërndan fondet e projekteve, por një institucion që do të merret me politikat dhe monitorimin e veprimtarisë së institucioneve të saj”. Për sa i përket funksionimit të kësaj qendre, dramaturgu Stefan çapaliku ka kërkuar që ajo të mos jetë një institucion që do të dublojë rolin aktual të MTKRS-së, por Moza Sofroni, drejtoresha e Artit, ka sqaruar se do të jetë ministria ajo që do të përcaktojë politikat. “Buxheti për Qendrën Kombëtare të Artit do të ndahet nga buxheti vjetor i MTKRS-së. Do të jetë një komision i veçantë pranë ministrisë që do të përcaktojë se sa do të jetë vlera e fondit që do të shkojë për këtë institucion të ri, ndërkohë që do të jetë po ministria që do të përcaktojë se sa për qind e buxhetit do të shkojë në degët përkatëse të artit”, shprehet Sofroni. Ministria do të kërkojë një shtesë në fondin e saj vjetor, për të përballuar fondin që i shkon QKA-së. “Deri në fund të gushtit kemi parashikimin e projektbuxhetit afatmesëm dhe mbi bazën e tij do të parashikohen shtesat e buxhetit”, shprehet Sofroni. QKA-ja do të ketë një drejtor dhe një administratë të vetën, ndërkohë që për shqyrtimin dhe miratimin e projekteve artistike do të ngrihet një bord që, sipas këtij projektligji, do të përbëhet nga 7 deri më 11 anëtarë. E për sa i përket përzgjedhjes së bordeve edhe për institucionet aktuale, ligji parashikon që në këtë rast të merret parasysh edhe mendimi i sindikatave të artistëve. Duke u ndalur në funksionimin e bordeve, regjisori Kastriot çipi, nisur edhe nga shembulli i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ka sugjeruar që Qendra Kombëtare e Artit të mos ketë veçse një bord që do të shqyrtojë të gjitha projektet, por të paktën tri borde të mëvetësishme. Sofroni ka thënë se kjo pikë ka mbetur e diskutueshme në këtë ligj, i cili do të mbyllet plotësisht deri në fund të kësaj jave. Ndërkohë, në fund të gushtit do të nisë puna për ngritjen në fillim të 2011-s të Qendrës Kombëtare të Artit.
#