Hiqen si agjentë sekretë, mashtrojnë policinë e dy vendeve
Dy persona që kanë pretenduar se janë agjentë të Antiterrorit ndërkombëtar, kanë përfunduar në pranga në Sarandë. Burime nga Komisariati i kufirit në Sarandë thanë se Erand Lika dhe Mikel Xheta, të dy nga Shupenza e Dibrës, ia kanë dalë të kalojnë kufirin shqiptaro-grek në Qafëbotë të Sarandës, duke treguar dokumente të sofistikuara, që i identifikonin ata si agjentë ndërkombëtarë të Antiterrorit, të tipit “007”. I pari mbante numrin serial 1059 të identifikimit si agjent, ndërsa i dyti me numër 1053. Kjo ka mjaftuar që ata të lejohen të kalojnë nga policia kufitare e Qafëbotës e madje edhe nga autoritetet policore greke të së njëjtës pikë kufitare.
Shefi i Komisariatit të policisë së kufirit në Sarandë, Ilir Gjoça, tha se kanë kaluar vetëm disa ditë dhe ata janë kapur duke qarkulluar në territorin grek me këto dokumente, të cilat, me sa duket, nuk u kanë pirë ujë dhe janë kthyer si deportivë në Qafëbotë. Atje janë intervistuar nga komandanti shqiptar i pikës, Selman Shabani, ku sërish kanë pretenduar se me ta është bërë një gabim, pasi “kanë qenë dërguar me shërbim special në Greqi", si agjentë të Antiterrorit. Por kjo nuk ka kaluar për së dyti herë, pasi ata nuk kanë ditur të thonë saktësisht asnjë emër shefi apo organi për të cilin punonin në strukturat shtetërore shqiptare. Pas kësaj kanë pretenduar se i përkasin një shoqate joqeveritare me mision antiterror, duke dhënë edhe adresën e saj elektronike. Pas kësaj ka qenë vetë drejtori i Antiterrorit, Bujar Hoxha, që është marrë me identifikimin e mëtejshëm të tyre. Shefi i policisë kufitare, Ilir Gjoça, tha se identitetet e tyre personale kanë rezultuar reale, ndërsa dokumentacioni si agjentë ndërkombëtarë të Antiterrorist mendohet të jetë i improvizuar, me gjithë sofistikimin që paraqet ai, me të gjitha vulat e siglat dhe me praninë e flamurit amerikan, atij të BE-së, të Italisë dhe flamurin shqiptar në dokumente.
Pas kësaj, të dy “Xhejms Bondët” imitues janë arrestuar. Gjatë hetimeve të para ka rezultuar dhe ata kanë pranuar se këtë aventurë e kanë ndërmarrë për të realizuar kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Italisë. Hetimet po bëhen në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, me Antiterrorin dhe Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Burimet policore thanë se ka mundësi të jetë një rrjet i mirorganizuar në këtë linjë, nisur edhe nga një ndodhi e ngjashme e zbuluar pak kohë më parë në Londër.
Ndaj dy imituesve të “agjentit 007” rëndojnë tashmë disa vepra penale: ajo e parashikuar nga neni 186 për falsifikim të dokumenteve, neni 246 për përvetësim të paligjshëm të titullit apo detyrës shtetërore dhe neni 297, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia konfirmon se ka nisur këto hetime, por nuk saktëson nëse për rastin do të ketë hetime edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë, që duhet të nxjerrë përgjegjësit për lejimin e kalimit të kufirit nga dy mashtruesit dibranë.
Rasti në fjalë vë në pikëpyetje efikasitetin e policisë kufitare shqiptare, që së fundmi edhe në Qafëbotë ka në dispozicion infrastrukturën e nevojshme për të kryer detyrën e saj. Megjithatë, duket se mashtrimi ka qenë vërtet i sofistikuar, pasi pre e tij ka rënë edhe policia kufitare e Greqisë, një vendi që teorikisht funksionon në çdo fushë sipas standardeve të Bashkimit Europian.
#