E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e Durrësit, fituese italiania "Michele Cro"

Nga Artur Korriku
Juria ndërkombëtare e përbërë nga 7 anëtarë, mbrëmë shpalli fituese projektin e studios italiane me qendër në Romë, "Michele Cro", duke i hapur rrugë zbatimit të projektit që kap vlerën e 5 milionë eurove 

DURRES -Përfundon konkursi i organizuar nga Bashkia e Durrësit për hartimin e një studimi që synon rivitalizimin e sheshit "Iliria" të këtij qyteti. Juria ndërkombëtare e përbërë nga 7 anëtarë, mbrëmë shpalli fituese projektin e studios italiane me qendër në Romë, "Michele Cro", duke i hapur rrugë zbatimit të projektit që kap vlerën e 5 milionë eurove. Ndërmjet 5 studiove të huaja (tre italiane, një portugeze dhe një nga Britania e Madhe), që kaluan në fazën e tretë të konkursit, u përzgjodh projekti me moton "Folding", e studios së arkitekturës "Michele Cro". Ishte Roca Maragna, që në emër të jurisë shpalli fituese këtë studio nga vendi fqinj. Kjo studio e drejtuar nga Michele Cro dhe bashkëpunëtore me studion "Idea Verde" ka punuar projekte sheshesh publike dhe godina të ndryshme në Romë, Venecia, Barcelonë, etj. Projekti i saj parashikon disa rreshta pemësh në anën lindore si një vend pushimi i ndarë nga rruga e makinave, ndërsa në pjesën perëndimore, një shëtitore. Gjithçka përfshihet në një shtresë gjigante të mbuluar në disa pjesë me bar, kalldrëme, gurë mozaikësh dhe zbukurime të tjera dekorative. Projektet ambicioze që arritën në finale e që synonin transformimin e sheshit qendror të qytetit të Durrësit, u përzgjodhën gjatë fazës së parë të konkursit, ku në garë u përfshinë 36 studio urbanistike, nga tre kontinente të botës. Që në fillim të garës, përfaqësues të komunitetit durrsak të përbërë nga arkitektë e intelektualë të njohur, u kërkuan studiove urbanistike të dhëna të hollësishme për zgjidhjet urbane që ata kishin menduar të realizojnë për këtë qendër historike, pasi ajo është një qendër unike e krijuar së bashku me qytetin 2700 vjet të shkuara e që nuk është zhvendosur kurrë që andej. Juria vlerësoi si mjaft ambicioz projektin e studios italiane. "Ottopignatti Studio Associato"; të studios portugeze, e quajtur "Da arquitectos"; të studios italiane të arkitekturës, "Mascino e Agnoletto" si dhe të studios së arkitekturës "3W Architecture Limited", nga Britania e Madhe.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›