E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e Kinematografisë në gjashtëmujorin e parë të 2010-ës

13/07/2010 Kinematografia shqiptare “në mes” të tregut

Blerina GOCE

Katër premiera filmike pritet të shfaqen në ekranin e kinemasë së Tiranës këtë vjeshtë, që mbajnë vulën e Qendrës Kombëtare Kinematografike. Bëhet fjalë për filmat “Shqiptari” me skenar të Johannes Naber, Andeta Spahivogli, regji të Johanes Naber; “Pharmakon”, regjia Joni Shanaj; “Out of Touch”, skenari Andi Deliana, Enkel Demi, regjia Andi Deliana dhe “Maya” me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe regji të Pluton Vasit.

Ndërkohë që një sërë projektesh filmike janë aprovuar nga QKK-ja dhe janë në pritje të realizimit të tyre.

Duke folur për strategjinë e saj dhe duke parashtruar disa mendime për kinematografinë shqiptare, Qendra e Kinematografisë parashtron përmes një deklarate punën e saj gjashtëmujore gjatë 2010-ës.

Sipas saj “industria e re e filmit shqiptar ka hedhur hapa të kujdesshëm gjatë procesit të pakthyeshëm drejt ekonomisë së tregut dhe dialektikës së zhvillimit drejt modelit perëndimor”. Në këtë linjë, “Kinematografia shqiptare vjen nga një trevë e veçantë që kërkon të thotë zërin e saj, duke u mbështetur në karakteristikat e veçanta historike, traditën dhe kodin shpirtëror”. Por, “koha parashtron sot kërkesa të tjera, për sa i përket vendeve të vogla dhe sidomos atyre që vijnë nga diktaturat komuniste”, shënohet nga QKK-ja, në këtë deklaratë, e cila siç është bërë “traditë” nga institucionet tona “lëvdon” punën respektive të secilit.

Megjithatë, idetë e parashtruara, ia vlejnë “të hidhen për diskutim”.

Në këtë linjë parashtrohen ide për buxhetin filmik. Siç dihet, në Shqipëri aplikohet me “buxhetin e vogël të filmit” që në botë nuk është i panjohur, por është karakteristik për të gjithë vendet e vogla që duan të shprehen në artin kinematografik. Kështu, “dalja nga buxheti i vogël në atë të mesëm” është një nga synimet prioritare të QKK-së.

Duke e cilësuar si të suksesshëm ligjin “Për Kinematografinë”, sipas QKK-së, filmi shqiptar ka marrë identitet dhe fizionomi të veçantë në artin bashkëkohor ndërkombëtar.

Porse “kyçi” qëndron në rolin e tregut në këtë art.

“Tregu, që përfaqësohet nga publiku, kërcënon se, nëse kjo kinematografi nuk shkon mbas shijes së përgjithshme, do ti lërë artistët pa mbështetje financiare. Nga ana tjetër, artistët synojnë gjithnjë të ruajnë pozicionin e elitës ose “të zgjedhurit”, duke u përpjekur të jenë avangardë dhe tribunë e vlerave. Në këto kushte, midis kësaj ngrehine të madhe, dëshirave të publikut dhe rolit elitar të artistëve qëndron Qendra Kombëtare Kinematografike. Me qëllim që interesi i industrisë së madhe të filmit të kthejë vëmendjen edhe nga arti kinematografik shqiptar, QKK vazhdimisht nxit autorët dhe producentët të jenë më të vëmendshëm ndaj kërkesave të tregut, pa prekur thelbin e një krijimtarie të mirëfilltë, me anë të aplikimeve, kontakteve dhe promovimeve të sukseseve të kinemasë shqiptare. Iniciativat e vazhdueshme për anëtarësimet ndërkombëtare dhe promovimin e kinemasë shqiptare, do ta kthejnë kinematografinë në pjesë të asaj botërore”.

Në këtë aspekt, vërehet se arti kinematografik ka hedhur hapa të ndrojtur drejt elitave botërore. QKK është pranuar tashmë si një institucion që ka realizuar praktikën e shumë prodhimeve kinematografike, është njohur gjithashtu nga simotrat e saj në Ballkan përmes strukturave të SEE ku QKK bën pjesë. “Futja e Shqipërisë në Eurimages vitin e kaluar plotëson akoma më shumë imazhin ndërkombëtar të institucionit. Gjithashtu, anëtarësimi së fundmi në European Film Promotion (EFP) dhe hapja e pavijonit për promovimin e kinematografisë shqiptare në Festivalin e Kanës, do të ndikojë në rritjen e bashkëprodhimeve dhe rritjen e mbështetjes financiare dhe, ajo që është më e rëndësishme, do të sjellë çlirimin përfundimtar nga zgjedha e industrisë lokale të filmit”.

Projektet

Në 6 mujorin e parë të vitit 2010 janë realizuar disa projekte. Në muajin mars u miratuan projektet promovues “Pavijoni i Filmit Shqiptar në festivalin Ndërkombëtar të Kanës” 10-21 maj 2010 dhe Anëtarësimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në “Europian Film Promotion”. Me vendimin e KMP, datë 04.06.2010, u miratua prodhimi i 12 filmave të shkurtër të studenteve diplomantë të Akademisë së Arteve, e konkretisht: “Valsi i lamtumirës”, Regjia Besian Kozma; “Shqipëri-Itali 1-0”, Regjia Redi Treni; “Punë fëmijësh”, Regjia Olti Hatillari; “Ushtarët alternativë”, Regjia Geris Filipi; “Horizont pafund”, Regjia Erenik Beqiri; “2 miqtë”, Regjia Edlira Baholli; “Bojëqiell”, Regjia Kelmend Karuni; “Legjenda e Krishtlindjeve”, Regjia Jonid Jorgji; “Horoskopi”, Regjia Elkjana Gjipali; “Dritarja e spitalit”, Regjia Bora Baxhaku; “Një ditë me mot të kthjellët”, Regjia Odeta Cunaj; “Punë birrash, punë burrash”, Regjia Tan Kazazi.

Ndërkohë më 7 qershor janë miratuar pesë projekte për filma artistikë me metrazh të shkurtër, e konkretisht: “Matanë lumit”, Regjia Sabir Kanaqi; “Një sy mbyllur”, Regjia Andamion Murataj; “Ngushtë”, Regjia Xhoslin Rama; “Para perëndimit të diellit”, Regjia Kled Kapexhiu; “Dita e fundit e Loro Shestanit”, Regjia Sokol Keraj. Po kështu janë miratuar edhe 4 projekte për filma dokumentarë, e konkretisht: “Gra në dritare”, Regjia Irvin Muçaj; “Mbreti i fushës”, Regjia Kujtim Gjonaj; “Shërbestari i kombit” Regjia Saimir Kumbaro; “100 vjet me himnin e flamurit”, Regjia Petrit Ruka. Po gjatë qershorit bëhet e ditur se janë miratuar edhe tre projekte për filma artistikë me metrazh të gjatë, vepër e parë, e konkretisht: “Amnistia”, Regjia Bujar Alimanil; “Bota”, Regjia Iris Elezi; “Udhëkryqi”, Regjia Robert Budina.

Janë miratuar edhe tre projekte për botime librash, revista, workshop, ndërsa gjatë këtij muaji do të zhvillohet mbledhja e KMP për të miratuar financimin e projekteve për festivalet dhe javë filmi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›