E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrja e vizës për studimet në Itali

13/07/2010 Procedura dhe afatet e përcaktuara për dorëzimin e dokumenteve të pranimit pranë ambasadës

Për t’u pranuar në universitetet italiane kërkohen të njëjtët tituj studimi si edhe në vendin tonë

Për të finalizuar procedurën e aplikimit për ndjekjen e studimeve të larta në një nga universitetet italiane, kandidatët e regjistruar paraprakisht duhet të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara për marrjen e vizës studimore. Limitet e pranimit të këtyre dokumenteve do të jenë të kufizuara, çka do të thotë se kandidatët, të cilët nuk do t’i dorëzojnë brenda aftit të përcaktuar, humbasin të drejtën e pranimit. Burimet zyrtare të ambasadës bëjnë të ditur se “duke filluar nga dita e djeshme, e deri në datën e pakthyeshme të 30 korrikut 2010, studentët që kanë paraqitur kërkesën për regjistrim pranë ambasadës italiane në Tiranë, duhet t’i drejtohen agjencisë më të afërt të “Albanian Courier – Union Net”, e cila do të realizojë dërgimin pranë organeve përgjegjëse të ambasadës të dokumentacionit shkollor, dokumenteve për lëshimin e vizës për studim në universitet si dhe pasaportën”.

Kontrolli

Në vijim të verifikimit për plotësimin e kritereve të parashikuara nga normativa dhe të konfirmimit nga ana e universiteteve italiane, ambasada italiane do të lëshojë vizat hyrëse për studim në një nga universitetet e këtij vendi. Në bazë të legjislacionit në fuqi, pohohet se këto vizat studimore do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Më pas bëhet edhe rinovimi i tyre sipas praktikave të caktuara. Megjithatë, pas kryerjes së kësaj procedure pasaporta do t’u kthehet të interesuarve me anë të korrierit postar, bashkë me dokumentacionin që studentët duhet të paraqesin në origjinal pranë universitetit në Itali (titujt e studimit të legalizuar, diplomën CELI 3 etj). Për ridorëzimin e dokumenteve studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh, nëse banojnë në Tiranë, si dhe 300 lekë, nëse banojnë në qytete të tjera. Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumenteve të legalizuara do të kryhet nga data 18 deri më 21 gusht 2010. Nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë. Për të ditur zyrën e korrierit “Albanian Courier – Union Net” më të afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni në numrat e telefonit 04 2357976 dhe 04 2357977 ose me e-mail albaniancourier@albaniancourier.al.

Titujt e studimeve

Aplikuesit duhet të paraqesin në të njëjtin zarf edhe titujt përfundimtarë të studimit (diplomë maturë dhe certifikatë e Maturës Shtetërore apo diplomën universitare me listën e notave dhe programin). Titujt e studimit duhet të jenë të përkthyer në italisht, të vërtetuar nga noteri dhe të legalizuar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. “Kujtojmë se për t’u regjistruar në universitetet italiane kërkohen të njëjtët tituj studimi, të cilët nevojiten për regjistrim edhe në universitetet shqiptare. Për këtë arsye, që në fazën e regjistrimit paraprak është e domosdoshme të bashkëngjisni fotokopje të formularit të regjistrimit në dy provimet me zgjedhje, të domosdoshme për regjistrimin në universitetet shqiptare (formulari A1). Ata që e kanë kryer shkollën e mesme duhet detyrimisht të paraqesin dëshminë e provimeve me zgjedhje (Matura Shtetërore)”, përcaktohet në udhëzimin e aplikimit.

Lista e dokumenteve që duhen për lëshimin e vizës studimore

1) Formulari për kërkesë vize, i plotësuar dhe i firmosur, ngjitur në të një fotografi për dokumente. Lutemi të shënoni një numër telefoni (fiks, celular) dhe adresë e-mail-i;

2) Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë;

3) Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale; kopje të faqeve me viza të tjera “Shengen”;

4) Dokumentacion vendbanimin në Itali (në dy kopje). Nëse do të qëndroni pranë personave privatë, deklaratë strehimi për 365 ditë, fotokopje të dokumentit të identitetit të firmosur të ftuesit (p.sh. nëse është shtetas i huaj, lejen e qëndrimit, soxhornon, ose faturat për rinovim, riçevutat; nëse është shtetas italian pasaportën ose kartën e identitetit);

5) Siguracionin për udhëtim, i vlefshëm nga data 24.08.2010 deri më 31.01.2011, i plotësuar me kompjuter (në dy kopje);

6) Faturë bankare: deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri, që vërteton derdhjen e pakthyeshme në favor të vetë personit për një vlerë prej 4.500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali.

Pakthyeshmëria e derdhjes mund të anulohet vetëm në rast se:

1) ambasada italiane deklaron refuzimin e vizës;

2) tërhiqet kërkesa për vizë nga ana e klientit, e vërtetuar kjo nga ambasada.

Studentët nën 18 vjeç

Përveç dokumentacionit të kërkuar me lart, studentët që janë nën moshën 18 vjeç, bashkë me kërkesën për vizë duhet të bashkëngjisin edhe një certifikatë familjare, të përkthyer dhe të legalizuar, dhe deklaratën noteriale për aprovim të prindërve mbi qëndrimin në Itali për studim të fëmijës, edhe kjo e përkthyer dhe e legalizuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›