E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e aksit Shkodër-Hani i Hotit



Në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, u zhvillua dje ceremonia e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit. Kompania e ngarkuar për realizimin e punimeve është shoqëria italiane “ATI Claudio Salini S.p.a. & Salvatore Matarrese S.p.a.”, që nënshkruan dhe kontratën me MPPTT-në me një vlerë prej 25.329.730 eurosh. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës ishin të pranishëm ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D'Elia, si dhe përfaqësuesi i firmës italiane, Claudio Salini. Programi bën pjesë në strategjinë e gjerë italiane në mbështetje të zhvillimit të infrastrukturës, pjesë e së cilës ka qenë rruga Lushnjë-Fier, financuar nga qeveria italiane me një kredi të butë prej 21 milionë eurosh. Realizimi i këtij segmenti rrugor, si edhe ristrukturimi i Portit të Vlorës, janë pjesë e projektit të madh evropian ndërkufitar për përfundimin e disa akseve rrugore dhe fuqizimin e porteve, në kuadrin e krijimit të Korridorit 8.

HEC-i lokal mbi lumin e Suhës, në 28 korrik zhvillohet tenderi koncesionar

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë më datë 28 korrik 2009 tenderin e hapur për dhënien me koncesion për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin e Suhës, në rrethin e Gjirokastrës. Burime zyrtare nga METE bënë të ditur se është shpallur ftesa për pjesëmarrje në procedurën konkurruese për këtë proces. Sipas burimeve, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 28 korrik 2009, ditë kur do të bëhet hapja e ofertave në Ministrinë e Ekonomisë. Ky dikaster ka arritur të përfundojë rreth 60 kontrata koncesionare për ndërtimin e 104 HEC-ve vendorë në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat kapaciteti prodhues i energjisë në total llogaritet në 1000 megavat.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›