Qëndrim profesional apo personal i Moore?
Është bërë zakon, për të qenë politikisht korrekt, që çdo iniciativë që vjen nga Departamenti i Shtetit apo ambasada e SHBA, të trajtohet nga shtypi dhe politika si një ndërmarrje e përsosur, dhe secila palë ta komentojë në favorin e saj. Por qëndrimi i Jonathan Moore, Drejtor në Departamentin e Shtetit, këtë radhë nuk la rast për ekuivoke, dhe udhëtimi i tij solli disa risi.
Udhëtimi i Moore, ndodhi pas përplasjes për KQZ-në, të ndodhur në Tiranë ndërmjet opozitës dhe pozitës, dhe deklaratës së Ambasadorit të SHBA, Arvizu, që e klasifikonte iniciativën e Berishës si kurs që binte ndesh me atë të SHBA. Pas kësaj, kryeministri shqiptar vuri në lëvizje shoqërinë e tij të lobingut, “Podesta”, që, ndoshta në pamundësi ta takonte Moore në Uashington, apo se këtë duhej ta bënte vetëm pasi të ishte takuar me Berishën, dhe meqenëse koha nuk premtonte, erdhi në të njëjtën kohë me Moore në Tiranë. Në fund të takimeve të tij, Moore, foli sikur qëndrimin t’ia kishin përgatitur në zyrën e Berishës. Është një rast klasik provash të tërthorta se si shoqëria e lobingut ia del të ndryshojë qëndrimin e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit.
Pas kësaj, jo gjithçka është si më parë në Tiranë. Qëndrimi i Moore ishte kosto për autoritetin e Ambasadës së SHBA në Tiranë, dhe veçanërisht atë të titullarit të saj Aleksandër Arvizu. Në kushtet kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe ndërmjet palëve është një klimë e thellë mosbesimi, Ambasada e SHBA, ishte institucioni që i jepte besim opozitës në ekzistencën e një garanti. Pas vizitës së Moore, besimi tek ky institucion ka rënë, dhe titullari i saj është me pikëpyetje të mëdha, nëse gëzon besimin e Departamentit të Shtetit.
Kjo ngjarje, gjithashtu ka nxitur dyshime në opinionin publik shqiptar, nëse SHBA kanë një politikë të përcaktuar qartë ndaj Shqipërisë dhe nëse kjo është institucionale, apo mjaftojnë disa miliona të paguara në shoqëritë e lobingut, për të ndikuar në kursin e saj. Dhe qëndrimi i Jonathan Moore shkon në favor të këtij dyshimi, pasi ka rrëzuar autoritetin e Ambasadës dhe Ambasadorit të SHBA në sytë e elektoratit shqiptar, dhe ka ofruar argumente sterile që nuk mundësojnë zgjedhje normale. Funksionimi i KQZ-së me gjysmën e anëtarëve, apo besimi tek Kolegji Zgjedhor mund të kenë besimin e Moore, por nuk ngjallnin besim në një vend ku KQZ-ja është thellësisht politike dhe drejtësia qartësisht e kapur.
Më tej, Moore foli për qëndrime të SHBA kundër protestave në rast mospranimi të zgjedhjeve. Që do të thotë se opozita edhe nëse humbet, nuk duhet të ndjehet. Me fjalë të thjeshta, është leje për njeriun që ka 23 vjet që praktikon vjedhjen e zgjedhjeve, se zullumi i tij është i tolerueshëm. Një qëndrim i tillë, është i shpjegueshëm nëse zoti Moore ka informacion se opozita shqiptare është thellësisht antiamerikane dhe nuk duhet të vijë në pushtet; dhe paralelisht, SHBA kanë vendosur që Berisha është zgjidhja më e mirë për shqiptarët, dhe përjetësimi i tij në pushtet, është në përputhje me interesat e SHBA, shqiptarëve dhe parimeve universale të demokracisë. Në të kundërt, qëndrimi i Moore, të bën të dyshosh se është thellësisht i ndikuar nga firma “Podesta”.
Rotacioni politik, edhe nëse nuk është gjithmonë zgjedhja më e mirë teknike, në kushtet e krizave, qeverive të tejzgjatura dhe të korruptuara, është një shfryrje tensioni, për të mos shkuar në protesta të dhunshme. Përndryshe, degjenerohet në autoritarizëm, ku ne po shkojmë çdo ditë e më shumë, ose partitë politike zhvlerësohen dhe përfundohet në anarki. Në rastin e dytë pastaj, turmat nuk pyesin shumë nëse kanë miratimin e Jonathan Moore apo jo. Gjithsesi, në të tilla raste vendi ka kosto të jashtëzakonshme, ndërsa Moore do vazhdojë karrierën e tij prej nëpunësi dhe gëzojë pensionin, pa e vrarë mendjen se deklarata të rëndësishme politike që ndikojnë në fatet e një vendi, i tha një ditë pa u menduar se çfarë pasojash sillnin.
Historia e politikës së jashtme të SHBA, njeh shumë raste kur shoqëri tregtare, nëpërmjet nëpunësve, e kanë zhytur vendin e tyre në batakë, nga të cilat Amerika ka pasur kosto për të dalë, dhe emri i SHBA është përlyer pa qenë politika e saj ajo që kanë pasqyruar në terren nëpunësit e saj. Dikur ishin shoqëritë e bananeve, sot janë ato të lobingut.
Ka kohë që Berisha dhe mbështetësit e tij, zhvlerësojnë ambasadorët e SHBA si pro opozitarë, sa herë që qëndrimet e tyre bien ndesh me axhendën personale të tij. Mbetet që opozita t’i kërkojë Ambasadorit Arvizu që të njoftojë përfaqësuesit politikë të Departamentit të Shtetit për qëndrimin e nëpunësit të tij, i cili e ka penalizuar moralisht opozitën, dhe gjithashtu ta kërkojë edhe nëpërmjet kanaleve të saj, verifikimin e qëndrimit të Moore dhe sa i ndikuar është ky qëndrim nga “Podesta”. Pasi një firmë lobimi e paguar me paratë e shqiptarëve, mund të trembë një nëpunës të Departamentit të Shtetit, por nuk duhet që si pasojë t’i japë zemër një vjedhësi serial zgjedhjesh dhe përcaktojë që përpara garës se kush do të na qeverisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)