E Diel, 1 Nëntor 2026

Vogëlushja Mejsi i nënshtrohet ndërhyrjes në Gjermani, mjekët shprehen optimistë

TIRANE – Dy-vjeçarja Mejsi Xhaxhaj e cila vuan nga një tumor i rëndë në kokë po i nënshtrohet aktualisht një operacioni tepër të vështirë në spitalin e Hanoverit në Gjermani. Prindërit e vogëlushes thonë se operacioni ka një orë që ka nisur dhe pritet të zgjasë rreth 8 orë të tjera, për shkak të rastit specifik. Gjithashtu prindërit tregojnë se mjekët gjermanë kanë dhënë shpresa tepër të mëdha për suksesin e operacionit, për heqjen e tumorit 5 cm nga koka e vogëlushes, pa shkaktuar dëmtime në shikimin e vajzës.

Historia e dhimbshme e vajzës 2-vjeçare Mejsi Xhaxhaj u bë e njohur për publikun shqiptar, pas apelit të nënës së Mejsit, bërë në “News24”, e cila bënte thirrje për ndihmë, për të shpëtuar jetën e vajzës së saj. Vajza ishte kuruar fillimisht në Greqi, për afro një vit, ku i ishte nënshtruar pa sukses edhe një operacioni në kokë.

Për rrjedhojë, tumori i rrallë i quajtur “Astrocitoma 2” rrezikonte brenda një kohe të shkurtër t’i merrte shikimin dhe më pas jetën, nëse 2-vjeçarja nuk operohej në kohë. Për më tepër, mjekët shqiptarë nuk dhanë asnjë shpresë për kurimin e saj, ndërsa strukturat shtetërore nuk reaguan që vajza të dërgohej në Gjermani, për t’iu nënshtruar operacionit që kushtonte jo pak, por 40 mijë euro pa llogaritur kohëqëndrimin në spital.

Të gjendur përballë murit të heshtjes institucionale, stafi i “News24”, Gazetës Shqiptare, BalkanWeb dhe Radio Rash ndërmorën një nismë humanitare për t’i grumbulluar paratë e operacionit përmes dhurimit vullnetar. Aksionit më pas iu bashkuan qytetarë të shumtë, brenda dhe jashtë kufijve, mes tyre nxënës, studentë, biznesmenë dhe politikanë.

Një kontribut të veçantë dha edhe Bashkia dhe qytetaret e Fierit. Në fund të këtij akti solidariteti u arrit që në bankën “Credins” të grumbulloheshin afro 60 mijë euro, shumë kjo e mjaftueshme për operacionin e vogëlushes. “News24” i bashkohet urimit të shqiptarëve dhe i uron Mejsit shërim të shpejtë.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›