E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëndrim siç duhet

Shtetet e Bashkuara po dëshmojnë se ndryshimi i administratave nga njëri president në ikje tek tjetri në ardhje është një zhvillim normal dhe qëndrimet që mbahen janë po aq normale. Duke iu referuar përgatitjeve të Barak Obamës për të zënë vendin e Xhorxh Bushit të Ri në 20 janar 2009 në Shtëpinë e Bardhë, agjencitë e lajmeve raportojnë se këto zhvillime po ecin në rrugë normale, që do të thotë administratë e re që nuk pengohet nga e shkuara dhe bashkëpunim edhe me kundërshtarët politikë.

Republikanë në administratë

Bashkëpresidentja e ekipit të tranzicionit të presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, Valérie Jarrett, tha dje se nuk përjashtohej që administrata e fituesit demokrat të zgjedhjeve të 4 nëntorit të përfshijë republikanët. “Kam sigurinë se administrata e Barak Obamës do të përfshijë njerëz të horizonteve të ndryshme”, tha Jarrett, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në kanalin televiziv NBC, lidhur me mundësinë që republikanët të përfshihen në administratën e ardhshme të Obamës. “Gjatë gjithë fushatës, presidenti i zgjedhur Barak Obama përmendi rëndësinë e të mosqenit partizan”, theksoi ajo. “Ai beson vërtet se do të marrë vendimet më të mira nëse mbështetet nga njerëz që kanë perspektiva të ndryshme. Pra, është shumë e rëndësishme për të që të ketë lloj diversiteti përreth tryezës”, shtoi Jarrett, bashkëpunëtore e afërt e çiftit Obama, që ka pasur karrierë administrative në bashkinë e Çikagos (Ilinois) dhe ka bashkëdrejtuar financat e fushatës elektorale të kandidatit demokrat të Ilinoisit. E pyetur lidhur me mundësinë që sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, të mbetet në detyrë, Jarrett u përgjigj: “Mendoj se tani gjithçka është e mundur (...) Nuk do të përjashtoja asgjë. Mendoj se presidenti i zgjedhur, Obama, është mendjehapur. Ai kërkon talente kudo ku mund t’i gjejë dhe do të krijojë absolutisht ekipin më të mirë që mund të gjejë për të punuar në unitet”, shtoi ajo.

Tranzicion “pa përplasje”

Sekretari i Përgjithshëm i Shtëpisë së Bardhë, Joshua Bolten, siguroi se tranzicioni mes administratës “Bush” dhe asaj të Obamës po përgatitet që prej disa javësh dhe se do të bëhet “pa përplasje”. “Puna jonë që ka filluar para disa muajsh dhe që ne po e vazhdojmë tani në mënyrë të përqasur me ekipin e Obamës, është të veprojmë në mënyrë të tillë, që tranzicioni të bëhet pa përplasje”, deklaroi Bolten në kanalin televiziv “C-Span”, në emisionin “Newsmakers”. Në mënyrë të përgjithshme, “çdo administratë e re fillon duke nisur nga zeroja. Është një tranzicion i ashpër, - shtoi ai. - Por ka shumë gjëra që ne mund të bëjmë, për ta bërë tranzicionin më të butë, në mënyrë që të bëhet si në një garë stafete. Ne mund të japim një ndihmë të madhe dhe kjo është përgjegjësia jonë, - shtoi ai, - në veçanti në një moment kur vendi ynë është i kërcënuar”. Ai shpjegoi më tej se anëtarët e administratës së ardhshme do të trajnohen “përmes ushtrimeve” me procedurat e urgjencës së Shtëpisë së Bardhë. “Sepse nëse do të ketë një krizë më 21 janarin e ardhshëm, duhet të ketë njerëz që duhet t’i përgjigjen. Duhet të punojmë në mënyrë të tillë, që ata të jenë të përgatitur sa më mirë të jetë e mundur”, tha Bolten.

Ekonomia është përparësi

Një nga këshilltarët kryesorë të presidentit të zgjedhur Obama thotë se administrata e re amerikane do të marra masa të menjëhershme për trajtimin e problemeve ekonomike, si dhe me çështje të sigurisë kombëtare, me të cilat ndeshet vendi. Xhon Podesta, që kryeson ekipin e tranzicionit të Obamës tha në një intervistë për rrjetin televiziv “Fox News”, se për presidentin e zgjedhur ka rëndësi të veçantë zbatimi sa më shpejt i planit të stimujve ekonomikë. Por ai shtoi se është e nevojshme që presidenti Bush të ndihmojë me ecurinë e këtij plani. Bush dhe presidenti i zgjedhur Obama kanë në plan të takohen të hënën (sot), për të diskutuar për transferimin e pushtetit. Në fjalimin e përjavshëm në radio që mbajti në emër të demokratëve, zoti Obama tha se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe se administrata e tij do të fillojë menjëherë pas betimit, më 20 janar, përpjekjet për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane. Zoti Obama premtoi se do të marrë masa të menjëhershme për zbatimin e një plani për t’u ardhur në ndihmë familjeve punëtore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›