E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdiqën nga asfiksia

Nëse operacionet e shpëtim-kërkimit nuk do të ishin ndërprerë natën e së dielës, nënë e bijë mund të ishin shpëtuar

GJIROKASTËR - Operacionet e kërkim-shpëtimit që u ndërprenë natën e së dielës në Gjirokastër, rinisën në orët e para të së hënës. Por përfundimet e ekspertizës së trupave të pajetë që u gjetën nën rrënoja hedhin hije të forta dyshimi mbi urdhrin për ndërprerjen e operacioneve. Nga përfundimet e kësaj ekspertize mësohet se e moshuara Zoto ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të marra gjatë shembjes së pallatit. Ndërsa për Valbona Dalanin dhe vajzën e saj të mitur shkak kanë goditjet e marra dhe asfiksia nën rrënoja. Nga ekspertiza nuk bëhet e ditur ora e saktë e vdekjes së tyre, por fakti që asfiksia ka qenë një nga faktorët kryesorë të humbjes së jetës, lë për të dyshuar se, nëse ato do të ishin nxjerrë më shpejt nga rrënojat, mund të ishin ende gjallë.NdërprerjaPa asnjë shpjegim zyrtar, operacioni i kërkim-shpëtimit në tragjedinë e Gjirokastrës është ndërprerë gjatë mbrëmjes së të dielës, në një kohë që mendohej se nën rrënoja mund të gjendeshin ende në jetë tre të zhdukurit. Jo zyrtarisht ky fakt është pranuar nga drejtuesit e operacionit të kërkim-shpëtimit, të cilët kanë argumentuar se një ndërprerje e tillë është bërë për shmangien e ndonjë tjetër tragjedie, pasi terreni mund të rrëshqiste sërish. Por ky arsyetim nuk justifikon aspak ndërprerjen e operacionit të kërkim-shpëtimit gjatë orëve të natës, pasi situata së cilës i ruheshin ata mund të ndodhte edhe mëngjesin e djeshëm apo dhe përgjatë gjithë ditës që ka vazhduar operacioni për nxjerrjen e trupave nga rrënoja. Mesa duket, shkak i ndërprerjes së operacionit është bërë mungesa e pajisjeve të nevojshme për kërkime në ngjarje të tilla emergjente, si ndriçues specialë dhe projektorë. GjetjaRreth orës 15:00 u mbyllën kërkimet me gjetjen e trupave të Parashqevi Zotos, 63 vjeçe, Valbona Dalanit, 38 vjeçe dhe vajzës së saj 12-vjeçare, Anxhela Dalani. Kanë qenë efektiva zjarrfikës, të policisë, ushtrisë, specialistë të minierave, si edhe efektivat e emergjencës të mbërritur nga Janina, ata që për disa orë me radhë kanë kërkuar trupat nën gërmadhat e pallatit të shembur. Maksi Çani, një prej efektivave të zjarrfikëses së Gjirokastrës, tregoi për gazetën detajet e mënyrës së kërkimit. “Gjatë gjithë mëngjesit kemi punuar me mjaft kujdes, duke menduar se midis rrënojave ndodheshin persona të mbijetuar”, thotë ai. Duke vazhduar ai tregoi se përveç qenit, atyre iu erdhi në ndihmë edhe një ekskavator për kontrollin e imtësishëm mes copave të tullave dhe të suvasë. “Kur nuk konstatonim asgjë për persona të ngujuar nën to, mbetjet largoheshin nga ekskavatori”, thotë efektivi zjarrfikës. Në disa momente ata përdornin vetëm presat metalike apo duart për të larguar masivet e tullave dhe të betonit. “Kishim raste kur qeni na jepte shpresa se midis rrënojave mund të gjenim diçka”, përfundoi zjarrfikësi. Trupi i parë i nxjerrë ka qenë rreth orës 10:00 të paradites, në pjesën veriore të zonës. 63-vjeçarja Parashqevi Zoto është gjetur nën rrënoja pas një pune kërkimore prej disa orësh. Ndërkohë, gjatë mesditës kërkimet e operacionit të evakuim-shpëtimit janë përqendruar për gjetjen e pjesëtarëve të familjes Dalani, Valbona dhe Anxhela Dalani. “Pas gjetjes së trupit të së moshuarës, ne nisëm të punonim me shpresën se mund të gjenim gjallë nënën dhe vajzën e saj”, thotë një tjetër efektiv zjarrfikës. Trupat e tyre u gjetën disa orë pas gjetjes së 63-vjeçares. Kështu, rreth orës 12:30 të mesditës është nxjerrë 36-vjeçarja Valbona Dalani dhe dy orë më vonë vajza e saj 12-vjeçare, Anxhela.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›