E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrim unik qeveria mbeshtetje edhe nga opozita

Paritë e opozitës në Kosovë mbështesin vendimin e  qeverisë për të vendosur nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, ndërsa u kanë bërë thirrje strukturave ndërkombëtare të sigurisë të përmbushin mandatin e tyre për rend dhe ligj në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Tri partitë më të mëdha opozitare, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, kanë mbështetur kërkesën e pozitës për miratimin e një rezolute për vendosjen e autoritetit të Kosovës në veri.

 “GP i LDK-së i vlerëson si kriminale dhe të papranueshme të gjitha veprimet e bandave serbe, veprime këto të nxitura nga institucionet e Serbisë dhe nga strukturat ilegale serbe në Veri.  GP i LDK-së dënon ashpër sulmin ndaj pikave kufitare në Veri dhe djegien e tyre nga bandat kriminale serbe. GP i LDK-së u bën thirrje strukturave ndërkombëtare të sigurisë, të pranishme në Kosovë, që të përmbushin mandatet që kanë për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”-tha Ismet Beqiri, Kryetar i GP të LDK-së. 

 “Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë thotë se vetëm bashkimi, mobilizimi i përgjithshëm i qytetarëve, i institucioneve dhe subjekteve politike e shoqërore për ta mbrojtur Kosovën dhe për ta mbështetur policinë dhe institucionet tjera për ta mbrojtur Kosovën është rruga e duhur përpara drejt zgjidhjes”-theksoi Glauk Konjufca, N/Kryetar i Kuvendit, Vetëvendosje.

“Më tej nuk duhet lejuar që të kemi viktima, që të kemi dhunë, që të kemi gjendja çfarë është aktualisht. Kërkojmë nga qeveria që bashkë me instancat ndërkombëtare, sidomos me KFOR-in, që veriun e Kosovës të ketë liri të lëvizje, veprim institucional dhe funksionim normal dhe të lirë të jetës së qytetarëve”-u shpreh Ahmet Isufi, Kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, AAK.

Opozita ka shprehur njëzëri mbështetjen që Qeveria e Kosovës që të mos zmbrapset nga vendimi për të vënën kontrollon pikëkalimet 1 dhe 31 që ndajnë Kosovën me Serbinë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›