E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mëshirën e BE’së

Ministrat e jashtëm të BE’së pritet të marrin vendim sot rreth fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave. Ministrja Vlora Çitaku thotë se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike, por druan nga disponimi politik në Bruksel. Europianët pritet ta thonë fjalën e tyre edhe rreth fuqizimit të marrëdhënieve tregtare me Kosovën.

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian pritet të vendosë sot rreth dialogut për liberalizimin e vizave dhe rreth fuqizimit të marrëdhënieve tregtare me Kosovën.

Vendimi pozitiv i ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE’së do të hapte mundësinë që qytetarët në të ardhmen të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Edhe pse sipas vlerësimeve të disa zyrtarëve evropianë, që nga fillimi i dialogut deri te liberalizimi i plotë do të duhen 2-3 vjet.

Sido që të jetë, Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku thotë se vendimi i BE’së do të jetë pozitiv pasi, sipas saj, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet teknike që kërkohen për të filluar këtë proces.

Kjo zyrtare thotë se përpos kritereve teknike, vendimi i BE’së varet në fund edhe nga disponimet politike të shteteve anëtare.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet teknike për të merituar hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave dhe fuqizimin e marrëdhënieve tregtare. Por ne jemi të vetëdijshëm që përveç procesit të liberalizimit të vizave, por edhe ai i marrëdhënieve tregtare nuk janë vetëm procese teknike, në fund fare varen nga disponimet politike”, ka thënë Çitaku, për Express, të dielën.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrimet që Komisioni Europian ua ka parashtruar institucioneve të Kosovës për të ecur papara në këto fusha. Gjithë çfarë është kërkuar nga ne, është përmbushur dhe tashmë vendimi është në duart e politikanëve të BE’së dhe në kemi shumë të drejtë të presim që Këshilli i Ministrave të mbështesë Rekomandimet e Komisionit Europian për Kosovën”, ka shtuar ajo.

Komisioni Europian kishte rekomanduar fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave gjatë muajit tetor.

E këtë çështje, gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Kryeministri Thaçi e kishte prezantuar si një nga premtimet kryesore elektorale duke thënë se qytetarët e vendit do të lëvizin pa viza në shtetet europiane brenda një afati prej 15 muajsh.

Një çështje tjetër që është përmendur në Raportin e Progresit dhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Europian janë edhe marrëdhëniet tregtare të Kosovës me BE’në.

Për këtë, Kosova pret nga BE’ja që të nisin hapat e parë, derisa vendimet përfundimtare pritet që të merren më vonë.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari pret që BE’ja të rekomandojë nisjen e procesit të fuqizimit të marrëdhënieve tregtare me Kosovën.

“Tashmë është i vonuar udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, ndërsa marrëdhëniet kontraktuale për tregti të lirë me BE’në do të vijnë, por ato nesër mund të jenë pjesë e pakos për një periudhë të afërt kohore. Ne kemi kërkuar në Bruksel nga Komisari i Tregtisë, një mision të ardhshëm monitorues, i cili është premtuar se do të jetë vitin e ardhshëm, në mënyrë që më pas të vijnë rekomandimet për hapjen e negociatave për tregti të lirë”, ka thënë Kusari, për Express.

Kosova aktualisht njihet nga 22 vende anëtare të BE’së, derisa Greqia, Qiproja, Spanja, Sllovakia dhe Rumania nuk e kanë njohur ende.

Me gjithë këtë qëndrim të BE’së, Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku thotë se ka parë disponim në mesin e diplomatëve për të përkrahur Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

“Përgjithësisht është një disponim i mirë për Kosovën. Ka një vetëdijesim në rritje që Kosova nuk mund të mbetet vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk mund të lihet si vend i vetëm në rajon pa marrëdhënie kontraktuale”, ka thënë Çitaku.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›