Qëndrimi i PE Svoboda dhe Shuls: Të hapen kutitë e votimit
Autori i Lajmit: RedaksiaGrupi parlamentar socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian ka mbështetur kërkesën e Partise Socialiste për hetimin e plotë të zgjedhjeve, ku përfshihet edhe hapja e kutive te 28 qershorit. Pas takimit në Strasburg me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, përmes një deklarate Martin Schultz, Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, ka theksuar se në bisedime është rënë dakord që opozita të rikthehet në Kuvend në të njëjtin moment kur do të merret një vendim për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, ku përfshihet, sipas deklaratës së Shultz, edhe hapja e kutive të votimit. Të njëjtën ide ka mbështetur dhe nënkryetari i socialistëve evropianë, Hanes Svoboda.
Shulz dhe Svoboda
Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian ka pohuar pas takimiet me kreun e PS-së se hetimi duhet të sigurojë transparencë të plotë si një bazë për përmirësime të rëndesishme për mënyrën sesi do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, me qëllim përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Shultz thekson me tej se eksperte ndërkombëtare duhet të asistojnë komisionin hetimor në përmbushjen e punës së tij dhe duhet gjithashtu të asistojnë në përcaktimin e përmirësimeve të nevojshme ne kuadrin zgjedhor. “Për këtë qëllim u ra dakord që opozita të kthehet në Parlament në të njëjtin moment, pasi të jetë marrë një vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshirë hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ky hetim duhet të sigurojë transparencë të plotë si një bazë për përmirësime të rëndësishme për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, me qëllim përmbushjen e standardeve ndërkombëtare”,- u shpreh Shultz. Më parë të njëjtin qëndrim për hapjen e kutive ka pasur edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian Hanes Svoboda, i cili i ka kërkuar qeverisë shqiptare të hapë kutitë e votimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, duke i dhënë, sipas tij, në këtë mënyrë zgjidhje krizës së rëndë politike në vend. I pyetur pas takimit me Ramën ai pohoi se, “ne patëm një takim shumë të mirë, një takim ku u përpoqëm të gjejmë një zgjidhje duke mos parë nga e shkuara por nga e ardhmja, sidomos nga e ardhmja e vendit. Mendoj se do të ishte mirë që opozita të kthehej në Parlament. Ky ka qenë gjithmonë opinioni ynë, por në të njëjtën kohë, do të ishte mirë që qeveria të vepronte. Qeveria duhet të veprojë dhe të thotë, dakord, le të kemi transparencë të plotë. Ne si qeveri e pranojmë që opozita e njeh rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është vendosur dhe këtë e ka thënë dhe gjykata. Por në të njëjtën kohë qeveria duhet të jetë e gatshme të tregohet e hapur dhe transparente, duke përfshirë dhe transparencën e kutive, të kutive të votimit, sepse kjo do të tregonte realisht se kush ka të drejtë kur thotë që ka pasur hile apo nuk ka pasur fare hile. Duke qenë se na nevojitet paqja dhe stabiliteti në vend dhe vetëm nëse opozita kthehet në parlament dhe në të njëjtën kohë qeveria mbështet hapjen, sinqeritetin dhe transparencën, mund të vendosen themelet e një dialogu të frytshëm në të mirën e vendit”.
Rama: “PSE pro hapjes së kutive”
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka rideklaruar nga Strasburgu se transparenca është vlerë e patjetërsueshme e demokracisë perëndimore. “Sot ne jemi në pikën ku kemi gjetur një mirëkuptim të shkëlqyer me miqtë dhe partnerët tanë të PSE, për të vazhduar një proces hetimi dhe për të garantuar transparencën e plotë përfshirë edhe hapjen e kutive, në një proces ku do të angazhohet një Komision Hetimor Parlamentar, duke kthyer opozitën në Parlament, duke vazhduar së bashku në rrugën e reformave dhe të integrimit të Shqipërisë në Evropë”, - tha ai. Rama shtoi se PS është e gatshme të kthehet në Parlament, sapo të garantohet vullneti për transparencë të plotë të zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme. “Sapo të garantohet se objekti i hetimit është i pakufizuar dhe përfshin dhe hapjen e kutive, duke bërë jo që të kemi një përmbysje të rezultatit në tavolinë, por që përmes nxjerrjes në dritën e diellit të të gjithë problemeve të zgjedhjeve, ti japim fund një sistemi korrupsioni elektoral dhe të hapim një rrugë të re për Shqipërinë”, - tha ai. Po dje Rama ka takuar dhe eurodeputetin e grupit të djathtë të PE, (PPE) Eduard Kukan Kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010