E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza për Kushtetuesen Ndërkombëtarët: “Ruani pavarësinë e institucioneve”

Autori i Lajmit: S. TopiPavarësia e institucioneve dhe veçanërisht atyre të drejtësisë është një nga shtyllat kryesore të demokracisë në një vend. Kështu pohuan përfaqësuesit ndërkombëtarë në vendin tonë, por dhe ish-kryetarët e Shtetit në seminarin me temë “Shteti i së drejtës dhe roli i Gjykatës Kushtetuese”. Ambasadori i SHBA-së, Xhon Uidhers, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, dhe ambasadorja angleze Fiona Mekiluan, në prag të zëvendësimit të gjashtë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, bëjnë thirrje për transparencë të procesit të përzgjedhjes. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është vënë në qendër të akuzave nga kryeministri Berisha dhe kur ka kthyer mbrapsht të paktën 18 vendime të kësaj mazhorance, ndër të cilat edhe pakti me Greqinë.
Takimi
Kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe OSBE-së, të ftuar në një tryezë mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese, iu referuan zgjedhjeve si standard i rëndësishëm për demokracinë në vend. Sipas kryediplomatit amerikan Uidhers, procesi zgjedhor vjen si koordinim i disa hallkave. “Zgjedhjet janë pjesë e rëndësishme e një demokracie, ato duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me institucionet e mirëqeverisjes, institucioneve demokratike si dhe pavarësisë së një shteti demokratik. Në funksionimin e tyre institucionet duhet të përballen me Kushtetutën dhe kësisoj edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të gjykatës duhet të bëhet sipas ligjit themeltar të shtetit. Vetëm kështu mund të sigurohet pavarësia e një prej gjykatave më me peshë në demokracinë e një vendi”,- theksoi Uidhers. Kreu i OSBE-së, Bosh, i ulur në tryezë pak minuta pas takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, nënvizoi se depolitizimi i institucioneve është kyçi i pavarësisë në Shqipëri. “E rëndësishme për funksionimin e demokracisë në Shqipëri është që të parandalohet politizimi i çdo institucioni në vend, në mënyrë të veçantë për institucionet e sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese”,- u shpreh Bosh. Kryediplomatja britanike u përqendrua në transparencën e emërimeve në gjykatë si çelësi i suksesit të një procesi me rëndësi në Shqipëri. “Ruajtja e demokracisë është e rëndësishme në një vend dhe në këtë drejtim Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm”, - u shpreh ambasadorja britanike. Ndërkombëtarët prej muajsh kanë bërë thirrje për reformën në drejtësi, ligjet për të cilat kërkojnë votat e opozitës në Parlament, por tanimë ata kërkojnë përqendrim dhe vullnet edhe për përbërjen e re të gjykatave më të rëndësishme në vend. Qëndrimet e të huajve vijnë vetëm pak ditë përpara përfundimeve të afatit për depozitimin e kandidaturave pranë presidentit Topi për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese si dhe 2 vendet në Gjykatën e Lartë.

Ky lajm është publikuar: 12/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›