E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qëndrimi i opozitës për kutitë, i papranueshëm"

28/02/2010 Ministrat e Jashtëm të PPE-së kërkojnë që opozita shqiptare të bëjë kthesë

Deklarata pas mbledhjes së 12 ministrave të vendeve anëtare të BE-së

Ministrat e Jashtëm të Partisë Popullore Evropiane i kërkojnë opozitës shqiptare të heqë dorë nga kushti i saj për hapjen e kutive të votimit dhe të pranojë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në një takim të zhvilluar në Romë, thirrur nga ministri i Jashtëm italian Franco Frattini, 12 ministrat e Jashtëm të PPE-së, në një deklaratë të përbashkët theksuan se opozita shqiptare duhet të respektojë dhe zbatojë Kushtetutën e vendit dhe ligjet në fuqi. Si konkluzion i diskutimeve, ministri Frattini dhe zëdhënësi për politikat e jashtme të PPE-së në Parlamentin Evropian, Elmar Brok, formuluan këtë deklaratë, ku shprehet shqetësimi i tyre mbi situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve demokratike të mbajtura në qershor 2009. “I kërkojmë Partisë opozitare Socialiste të pranojë rezultatin e konfirmuar nga KQZ-ja, Kolegji Elektoral, Gjykata e Apelit dhe të gjitha organizatat vëzhguese ndërkombëtare. E konsiderojnë të papranueshëm qëndrimin e partisë opozitare për të rihapur kutitë e votimit, që pengon zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike të nevojshme dhe urgjente për vendin”, thuhet në deklaratën e mbështetur nga ministrat e Jashtëm. Duke pasur parasysh zhvillimet politike në vendin tonë, shefat e diplomacive të 12 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i kërkuan opozitës shqiptare të respektojë plotësisht Kushtetutën dhe Ligjin, duke përfshirë vendimet e Gjykatës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo deklaratë është vijim i qëndrimeve të zyrtarëve të të djathtëve evropiane. PPE-ja, përmes deklaratave të përfaqësuesve të saj, kanë theksuar shqetësimin e grupimit politik mbi situatën e vështirë politike që kalon Shqipëria, si pasojë e bojkotit të Parlamentit nga PS-ja. Kryetari i grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian, Joseph Daul, ka deklaruar disa ditë më parë se opozita shqiptare duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të rregullta dhe të kthehet të punojë në interes të qytetarëve shqiptarë. PPE-ja mendon se opozita duhet të japë kontributin e saj në funksion të reformave ekonomike dhe sociale, për të mundësuar plotësimin e kritereve nga ana e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Duke pretenduar kthesën e opozitës, zyrtarë të lartë të PPE-së kanë thënë se gjatë vëzhgimeve të bëra nga institucione serioze ndërkombëtare gjatë zgjedhjeve nuk u gjetën prova për numërim të parregullt të votave ose nuk u vu re manipulim i rezultateve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›