E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet, bie niveli i liqeneve

28/02/2010 Korporata Elektroenergjetike vazhdon të mbajë hapur portat e shkarkimit të hidrocentraleve

Regjistrohet rënie me 2 - 3 cm në orë i nivelit të liqeneve. Vazhdon prodhimi i energjisë

Sasitë e mëdha të shkarkimeve të ujit nga portat hidrocentraleve mbi Drin kanë bërë që niveli i liqeneve të bjerë mesatarisht me 2 deri në 3 centimetër në orë. Ndonëse ka pasur ulje të lehtë intensitetit të shkarkimeve në fushat e Nënshkodrës niveli i ujit mbetet i lartë. Mëngjesin e të premtes nga portat fundore të shkarkimit të Vaut të Dejës shkarkoheshin 1 140 metër kub, ndërsa në mesditë u vendos që derdhjet të pakësoheshin në 800 metër kub në sekondë. Në total, së bashku me ujin që del nga turbinat nga Vau i Dejës derdhen 1 350 metër kub në sekondë, sasi kjo që nuk lejon përmirësim të situatës në fusha. KESH njoftoi se me anë të shkarkimeve të pandërprera ka arritur të ulë nivelin e ujit në liqenin e Vaut të Dejës në 74.4 metra nga 75.3 metër që ishte të enjten. Parashikimet janë që niveli i ujit në këtë basen ujore të ulet me 3 centimetra çdo orë. Rënie të nivelit të ujit ka pasur dhe në liqenet e Fierzës dhe Komanit, pothuajse me dy centimetra çdo orë. Shkarkimet e ujërave të papërdorura në këto dy basene ujore kanë ndryshuar pak gjatë dy ditëve dhe aktualisht janë 500 metër kub ujë në sekondë nga Fierza, dhe 700 metër kub nga Komani. Në ndryshim nga Fierza, në liqenet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës, shkarkimet filluan një javë më parë. Kjo erdhi si rezultat i rritjes së prurjeve me hapjen e portave të Drinit të Zi për uljen e liqenit të Ohrit në Maqedoni. Në shtetin fqinj, rritja e liqenit mbi nivelin maksimal është kthyer në një makth. Ohri dje ka shënuar një nivel 20 centimetra mbi nivelin maksimal sezonal të lejuar, çka ka përhapur panik. Nëse kushtet e motit favorizojnë rritjen e mëtejshme të Ohrit, me shumë mundësi Maqedonia do të vazhdojë shkarkimet e liqenit, të cilat në fillim i la në një kuotë modeste prej 50m3/s. Megjithatë, ndryshimi i vogël i shkarkimeve ka bërë që situata të jetë e rënduar në fshatrat e Shkodrës. Kështu, qindra shtëpi vijojnë të jenë të rrethuara nga uji, ndërsa të dhënat më të fundit tregojnë për evakuim të rreth 150 familjeve. Situatë më e qetë hidrike paraqitet në Ulëz dhe Shkopet, kur prurjet dhe shkarkimet e ujërave kanë rënë në nivele normale. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka njoftuar se prodhimi i energjisë vijon të jetë i pandërprerë dhe maksimal nga pesë hidrocentralet. Kështu, nga Fierza, Komani, Vau i Dejës, Ulza dhe Shkopeti prodhohet me kapacitet të plotë me rreth 1200 megavat. Megjithatë, gjatë orëve të mbrëmshme kanë filluar sërish reshjet e shiut, ndërkohë që dita e djeshme ka qenë pothuajse e thatë. Kjo u ka dhënë mundësi drejtuesve të Korporatës të vazhdojnë shkarkimet e ujërave dhe të stabilizojnë nivelin e liqeneve dhe të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin.

Problemet

Gjatë 10 ditëshit të fundit janë evidentuar probleme të shumta në disa zona të vendit në digat e rezervuarëve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në liqenin e Kurjanit në Fier, Paskuqan në Tiranë, Ballaban dhe Kajcë në Përmet, Prishtë në Skrapar, Memaj në Durrës janë vërejtur probleme me sigurinë e digave. Probleme janë evidentuar edhe nga rritja e nivelit të lumit Devoll (në zonën e Kuçovës) duke gërryer toka bujqësore dhe rrezikuar stacionin e ujit të pijshëm të fshatit Kozarë, pranë digës së Vlashukut. Gjithashtu, në lumin Drin në Shkodër, në zonën e Ashtës, fshati Lukaj, është dëmtuar një segment i tokës bujqësore dhe rrezikohen edhe 8 shtëpi banimi. Aktualisht, situata po ndiqet 24 orë në 24 dhe gjithë bordet e kullimit dhe baza teknike e tyre është në gatishmëri.

Hidrocentralet

Reshjet e këtyre ditëve të fundit kanë ndërlikuar sërish situatën e liqeneve në hidrocentralet e ndërtuara në kaskadën e lumit Drin. Prej ditës së diel, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka vendosur të hapë portat e shkarkimit të hidrocentraleve të Komanit dhe të Vaut të Dejës, ndërkohë që nuk ka ende asnjë vendim për hapjen e portave të Fierzës, i cili është edhe HEC-i më i madh në vend. Ditën e djeshme, situata duket më e stabilizuar, pasi prurjet e ujërave kanë rënë ndjeshëm në raport me dy ditë më parë, por parashikimi i motit ka bërë që drejtuesit e KESH-it dhe të Ministrisë së Ekonomisë të kenë vëmendjen maksimale për mbarëvajtjen e situatës.

Situata

Me gjithë reshjet e shumta të shirave dhe mbushjes së liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, në asnjë moment nuk cenohet siguria e digave. Sipas ekspertëve të KESH-it, situata është shumë normale për sa i përket sigurisë, ndërkohë që vëmendja është përqendruar në mbajtjen në kontroll të përmbytjeve për të eliminuar në maksimum dëmet që mund të vijnë. Nga ana tjetër ditën e djeshme është regjistrua një rënie e ndjeshme e nivelit të këtyre liqeneve, çka ka sjell një stabilizim të situatës për sa i përket nivelit të sigurisë së tyre. Ndërkohë, burime nga KESH-i bënë të ditur dje se shkarkimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›