Qëndrojini afër Sali Berishës në këto ditë të vështira!Nga Mero BazeLetër të hapur zonjës Topalli E nderuara zonja Topalli! Ju pashë dje pas portretit të shfytyruar të Sali Berishës të dëgjonit një lumë fyerjesh monstruoze për gratë dhe burrat e E
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Qëndrojini afër Sali Berishës në këto ditë të vështira!Nga Mero BazeLetër të hapur zonjës Topalli
E nderuara zonja Topalli! Ju pashë dje pas portretit të shfytyruar të Sali Berishës të dëgjonit një lumë fyerjesh monstruoze për gratë dhe burrat e Edi Ramës dhe për premtimet e tij për t’i shkulur deri në fund dhëmbët opozitës. Në rrethin e ngushtë të njerëzve që ai sulmoi duke i kërcënuar deri me shfarosje, u përfshiva dhe unë. Natyrisht, ne që e kemi njohur nga afër Sali Berishën dhe dimë çdo detaj të çrregullimeve të tij mendore, nuk frikësohemi dhe e nuk e marrim seriozisht. Njësoj si unë, dhe Ju, dhe miq të tjerë të mi brenda PD, e keni parë atë njeri në skena dhe më të këqija se ajo e djeshmja në parlament, ndaj ende ruani dhe ruaj qetësinë. Por ka një problem të madh me shqiptarët, të cilët nuk e kishin parë kurrë publikisht në një gjendje të tillë të mjerueshme mendore dhe njerëzore dhe kam frikë se shumë prej tyre janë tkurrur të tmerruar nga fati që kanë kryeministër një njeri të tillë.
Për shkak të historisë sime të gjatë përkrah tij në vitet e tij të vështira në opozitë, së bashku me Ju dhe shumë të tjerë, kemi së paku një detyrë të thjeshtë para qytetarëve shqiptarë, t’i qetësojmë ata dhe t’u themi që të mos ta marrin së paku seriozisht. Disa orë para se ai mashkull i frustruar edhe seksualisht doli në atë foltore dhe përdhunoi publikisht gjithë femrat që ka njohur lideri i opozitës, Ju kishit thirrur gjithë gratë e Shqipërisë t’i këshillonit si të mbroheshin nga dhuna ndaj burrave. Disa orë më pas Ju kishit një shans të dëshmonit se e kishit seriozisht me ato gra të gjora, që i kishit hequr nga puna për t’i sjellë në parlament. Ju kishit në dorë të tregoheshit grua e fortë, siç u treguat disa ditë më parë me Lulzim Bashën, kur ai nisi të fyente opozitën. Ju nuk e bëtë, dhe pse ende besoj se do kishit dashur ta bënit, por ndjeheni e dhunuar prej fuqisë së tij politike. Dhe për këtë ndihem keq.
Së dyti, desha t’Ju kujtoj se dhunimi publik në atë sallë parlamenti i emrit tim është bërë për të disatën herë nga ky njeri. Sali Berisha përmendi dje mbesat e veta (megjithëse jo të gjitha për shkak të komplekseve fisnore që ka), si shenjë e dobësisë së tij njerëzore, pa harruar se fëmijët e mi, të cilët e kanë njohur nga afër, e kanë parë disa herë në atë foltore dhe e panë dhe dje të fyente dhe të shpifte ndaj babait të tyre, duke frymëzuar kështu banditët e djalit të tij të djegin makinën apo të sulmojnë rrugëve të kryeqytetit. Dhunimi publik që një kryeministër i bën një gazetari nga ajo që Ju e quani ende foltore parlamenti, është shumë herë më i rëndë sesa dhuna e djalit të tij financiar, Rezart Taçi, djegia e makinës nga djali i tij biologjik, Shkëlzen Berisha, apo shkatërrimi i biznesit të gazetës nga kapterët e tij, Genc Ruli e Bujar Nishani. Asnjë organizatë ndërkombëtare shtypi, dhe asnjë institucion evropian që na monitoron, nuk quan më të rrezikshme përgjakjen time në rrugë sesa përdhunimin publik prej gojës së kryeministrit në foltoren e parlamentit. Siç e thashë dhe më sipër, ne që e kemi njohur nga afër, nuk i marrim seriozisht kërcënimet e tij, por ai flet për të trembur gazetarët e tjerë, ata që e njohin përmes ekranit dhe makijazhit të Klaneve të tij.
Së treti, jam i shqetësuar për klimën e terrorit që ai përpiqet të ndjellë ndaj biznesit shqiptar, duke prodhuar një model të luftës klasore në një shoqëri të lirë. Përfytyroni një moment, sikur në përgjigje të fjalorit të Sali Berishës, kandidati për kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, të ngrihet dhe të thotë, sapo të vijë në pushtet: “Do të anuloj gjithë vendimet e qeverisë Berisha. Do t’i heq gjithë tokat që ka blerë Samir Mane. Do prish gjithë ndërtesat e Bashkim Ulajt. Do kontrolloj bizneset e Gimit të Red Bull-it. Do shkatërroj gjithë depozitat e Uldedajt. Do fus në burg Rrahmanin, se është shok i Shkëlzenit. Do arrestoj Fahri Balliun, se ka bashkëpunuar me serbët. Do t’i marr Frangajt tokat që u ka marrë pronarëve në Kinostudio dhe Dajt” etj. Për fat të mirë reagimi normal i liderit të opozitës na jep shpresë që do shkojmë drejt një Shqipërie normale, por nuk duhet të harrojmë se, përveç biznesmenëve që njohin Sali Berishën dhe Edi Ramën, janë dhe qindra-mijëra biznese të tjera të vogla dhe të mëdha, që duan t’i kenë të sigurta investimet e tyre dhe shembulli që jep Sali Berisha, i tmerron ata për të ardhmen e tyre.
Së fundmi, dua t’Ju rikujtoj se, përpjekja e Sali Berishës për të futur vendin në darët e një lufte civile, nuk merret seriozisht nga askush, por merret si shenjë e një degradimi të tij mental, që nuk kurohet më as me “Haloperidol” dhe as me “Rispolept”, të cilat ai i mban në xhep. Nuk dua t’Ju këshilloj as të dilni kundër tij, as t’i bëni opozitë dhe as ta braktisni në këto momente të vështira, pasi nuk fitojmë të gjithë asgjë. Ai ka nevojë për njerëz që t’i rrinë pranë dhe ta qetësojnë, duke u përpjekur të dalë nga kjo histori me një kosto sa më të vogël. Vetëm kështu ai mund t’u bëjë nder mbesave të tij, që ka qejf t’i përmendë për të na treguar se është ende njeri. Vetëm kështu ai mund t’i lërë një të ardhme më të sigurt djalit dhe vajzës së tij. Vetëm kështu mund t’i kujtojmë pas pak kohe me të qeshur këto orë të vështira të tij. Ideja fikse që ai ka, se ka në dorë jetën tonë, është një gjendje patologjike që e ka çdo njeri me probleme mendore, por ky është problemi i tij dhe jo i joni. Problem dhe detyrë e jona, sidomos e imja, e Juaja, dhe e miqve të tjerë të mi në PD, që e kemi ndihmuar të ringrihet një herë pas një krize të tillë si kjo që po prodhon, është që ta përcjellim qetësisht dhe pa bërë shumë dëme për shqiptarët. Këtë e kemi edhe si dënim.