E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjysmuam ryshfetin në shëndetësi

Berisha në takimin e Task-Forces

Kryeministri mbledh Task-Forcen për reformën e shëndetësisë. Vdekshmëria foshnjore tani është njëshifrore.

Berisha: Korrupsioni ka rënë, perceptimi ndryshe nga realiteti.

Kryeministri Sali Berisha tha dje se korrupsioni në shëndetësi është përgjysmuar. Deklaratën kreu i qeverisë e bëri në takimin e Task-Forces për reformimin e sistemit të shëndetësisë, e mbledhur për të vlerësuar arritjet e deritanishme. Duke iu referuar disa raporteve, kreu i qeverisë tha se pavarësisht perceptimit, shifrat e ryshfetit janë ulur. Është e domosdoshme të përshpejtojmë proceset dhe procedurat, është e domosdoshme të shtrimë renk-imin e institucioneve tona shëndetësore dhe, të dashur miq, të bëjmë gjithçka për një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit. Nuk është më situata që ishte. Studime të besueshme të opinioneve faktojnë më shumë se përgjysmim, qartësisht më tepër se përgjysmim të ryshfetit. Tjetër gjë është opinioni, pasi ka një diskordancë të madhe mes perceptimit dhe realitetit, por ka mundësi që ne të arrijmë të realizojmë transparencën në çdo veprim tonin burokratik, në mënyrë që vetëm korrupsion të mos ketë, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas Kryeministrit, sfidë e këtij sistemi tani është financimi. Sërish në themel duhet të jetë financimi. Asgjë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa një sistem efecient financimi. Besoj se këtu biem dakord dhe ka një gjë të cilin ju të gjithë e njihni. Nuk është suksesi i një sistemi, nuk është performanca e një sistemi. Është një raport me përqindjen e buxhetit që merr, u shpreh Berisha. Në mbledhjen e djeshme kreu i ekzekutivit vuri sërish theksin te treguesit në rënie të vdekshmërisë foshnjore dhe asaj amtare. Kryeministri tha se vdekshmëria foshnjore tani është njëshifrore, ndërsa ajo amtare në nivelet më të ulëta të të gjitha vendeve ish-komuniste. Natyrisht vendet perëndimore e kanë më të ulët, vendet anëtare të BE-së, si Franca , Gjermania etj. e kanë më të ulëtin. Më të lartë e kanë vendet ish-komuniste. Në grupin e vendeve ish-komuniste, Shqipëria ka më të ulëtin. Këto nuk ndodhin kurrë në një vend të prapambetur. Një komb i prapambetur do të paguajë çmimin e prapambetjes së tij, siç paguanim ne, ose do të paguajë çmimin e varfërisë së tij, ka një seri çmimesh për të paguar, tha Kryeministri.

Edi Rama: Shëndetësia sot, qamet i zi për shqiptarët
Kreu i opozitës, Edi Rama, ka sulmuar Kryeministrin Berisha pas deklaratës së tij në mbledhjen e sotme të Task-Forces, ku vlerësoi se Shqipëria renditet ndër vendet e zhvilluara sa i takon shëndetësisë. Kryeministri e di se vdekshmëria foshnjore ka qenë historikisht e ulët, kurse shëndetësia sot është qamet i zi për çdo shqiptar që ka nevojë për të!, komentoi Rama në profilin e tij në Twitter. Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e Task-Forces për reformën në shëndetësi, ku u pasqyrua gjendja aktuale e sistemit tonë shëndetësor, sistemi financiar dhe përpjekjet për luftimin e korrupsionit në këtë sektor. Në programin e saj Rilindja shqiptare Partia Socialiste evidenton probleme të mëdha në sistemin e sotëm shëndetësor, ndërsa ka nisur diskutimin me grupet e interesit.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›