E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qentë endacakë shqetësojnë prishtinasit

Edhe pse Komuna e Prishtinës që nga pranvera e këtij viti është duke e bërë kastrimin, sterilizimin e qenve endacakë, banorët e Prishtinës thonë se janë në hall nga ta. Madje, sipas tyre, Komuna duhet të anulojë këtë proces dhe të bëjë vrasjen e tyre, sepse qentë në numër të madh po i shqetësojnë ata nëpër lagje.

Arianit Hasani, nga lagjja Kolovicë, që gjendet në periferi të qytetit , thotë se qentë në numër të madh janë të pranishëm në këtë lagje sidomos kur fillon të errësohet. “Numër i madh i qenve shihet në lagjen tonë, në disa të rrugë. Kjo më shqetëson shumë pasi që ata janë rrezik për të gjithë ne ,por sidomos për fëmijët tanë”, thotë Arianiti.

Madje sipas tij, fëmijët menjëherë si të errësohet nuk guxojnë të dalin nga shtëpitë e tyre, nga frika se do t’ iu dalin qentë në rrugë. “Iu ka ndodhur disa herë të shkojnë mbasi që është errësuar në dyqan, dhe u kanë dalë në rrugë grumbull qensh , ku i kanë frikësuar dhe tash si të errësohet fëmijët tanë nuk dalin nga dera e shtëpisë”, u shpreh Arianiti.

E një fëmijë i kësaj lagjeje shprehet i frikësuar nga numri i madh i qenve që frekuentojnë këtë rrugë. “Natën është shumë e rrezikshme për ne fëmijëve të dalim në rrugë vetëm, pa e pas dikë më të rritur se ne, sepse shohim shumë qen. Mbas orës 4 apo 5 , unë nuk guxoj të dal pa vëllaun apo pa babin në rrugë”, njoftoi Pajtim Rrahmani, shkruan “Zëri”.

Zyrtarët komunalë thonë se procesi i kastrimit , i filluar nga pranvera e këtij viti, është duke vazhduar.”Komuna është duke e bërë trajtimin e qenve endacakë, kastrimin dhe sterilizimin e tyre. Ky projekt ka filluar së zbatuari që nga pranvera e këtij viti. Projekti si i tillë përfshin trajtimin e mbi 1500 qenve endacakë dhe deri me tash këtij procesi i janë nënshtruar një numër i konsiderueshëm i tyre”, tha zëdhënësi komunal Asdren Osaj, i cili më tutje tha se këtë proces është duke e bërë Qendra për trajtimin e qenve endacakë, kastrimin dhe sterilizim, në fshatin Harilaq.

Sipas tij, në mungesë të mjeteve buxhetore, Komuna nuk është në gjendje që të krijojë një strehimore për qentë endacakë, sepse krijimi, mirëmbajtja, punësimi i personave që do të kujdeseshin për qentë në këtë strehimore, buxhetit komunal do t’i kushtonte miliona euro dhe këto mjete Komuna nuk i ka në dispozicion.

Një problem tjetër, sipas tij, që po i shkakton telashe Komunës, është edhe fakti se komunat fqinje asnjëherë nuk kanë ndërmarrë diçka në këtë drejtim dhe Komuna vlerëson se për eliminimin dhe zvogëlimin e pranisë së qenve endacakë në Prishtinë duhet që krahas Prishtinës të marrin masa për trajtimin e qenve endacakë edhe komunat fqinje, pasi që është i pamundur eliminimi i qenve endacakë në qytet, nëse nuk merren masa edhe nga komunat fqinje. Komuna, sipas tij, u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që në shtëpitë e tyre, që kanë qenë të kujdesen për ta, të mos i lirojnë ata kohë e pa kohë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›