E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i hyn në hak 28 Nëntorit

Qeveria e Kosovës e ka gjetur pikërisht rastin e 100-vjetorit ditës së pavarësisë së Shqipërisë, që ta ndalë praktikën e ditëve të gjata të pushimit, duke marrë vendim që vetëm data 28 Nëntor, të jetë ditë festive. Ky shkurtim i pushimit ka shkaktuar indinjatë te qytetarët, të cilët janë mësuar të pushojnë për çdo festë të botës, madje edhe për ato pagane, Shën Gjergj e Shën Mitër...

Disa nga qytetarët ka disa ditë që kanë planifikuar të shkojnë në Shqipëri, për të festuar këtë 100-vjetor, duke shpresuar se ditët e festës do të jenë të paktën dy-tre ditë.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ndërkaq pati thënë se me Ligjin për festat zyrtare i është hyrë në hak 28 Nëntorit.

“Sido që të trajtohet kjo, në ndonjë ligj që është përpunuar shpejt e shpejt, 28 Nëntori mbetet festë me domethënie të veçantë në historinë e kombit. Pa marrë parasysh se çfarë shkruan ligji, shqiptarët duhet të jenë ata që 28 Nëntorin ta trajtojnë si festën më të madhe kombëtare”, ka thënë më parë Krasniqi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë lidhja e pushimeve është praktikë e pa precedent. Sipas saj, Qeveria para pak kohësh ka marrë vendim që të ndërpritet praktika e lidhjes së pushimeve me ditët e vikendit.

“Dashuria ndaj shtetit dhe atdheut nuk shprehet duke pushuar por duke punuar”, ka thënë Çitaku. Në pyetjen se pse qeveria mori këtë vendim pikërisht në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Çitaku ka thënë se “nuk është mirë që të shkaktohen precedentë”.

“Është mirë që të punojmë. Ata që e duan aq shumë atdheun dhe që janë aq shumë patriotë duhet të punojnë. Pesë ditë pushime është paprecedent. Nuk e duam ne shqiptarinë dhe shtetin më shumë se që e duan amerikanët Amerikën, por nuk kemi parë asnjëherë që të bëhen 5 ditë pushim”, ka thënë Çitaku.

Ndryshe nga ministrja Çitaku, analisti Avni Zogiani thotë se arsyeja kryesore pse kjo qeveri e ka bërë këtë vendim, pra që pikërisht me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, të shtrëngojë dorën për kohëzgjatjen e festes, është rezultat i mentalitetit proverb, që është instaluar në partitë në pushtet, shkruan “Zeri”.

“Kjo është arsyeja kryesore, por mendoj se ka edhe arsye tjera, për shembull, vëmendja që po i jepet flamurit kombëtar dhe injorimi që i bëhet flamurit të Kosovës, është shprehje direkt e mllefit të njerëzve me këtë politikë, dhe kthim në rrënjët e identitetit”, tha ai.

Po ashtu arsyeja tjetër, sipas Zogianit, është se qeveria ka vendosur që të japë më pak ditë për 100-vjetor, se për festat tjera, siç është “bozhiqi”, sepse “ka frikë se në rast se në mënyrë masive njerëzit i bashkohen sentimentit pan-shqiptar, ka mundësi që bosët e vërtetë të politikës kosovare, që janë zyra ndërkombëtare, mund të shqetësohen dhe kjo i shkakton tmerr kryeministrit”, ka thënë Zogiani

Ndërkaq, analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se boll është një ditë feste për 100-vjetorin e pavarësisë, ngase sipas tij, kosovarët nuk dinë gjë tjetër veç të festojnë. “Me festimin e çdo feste në Kosovë, veç e kemi tepruar kështu që mendoj se vetëm një ditë mjafton ta festojmë 100-vjetorin e pavarësisë”, ka thënë Spahiu.

Ndërkaq, qytetarja Nexhmie Kursani ka thënë se pasi që është 100-vjetori i shpalljes se pavarësisë se Shqipërisë, edhe pse 28 Nëntori është hequr nga kalendari i festave zyrtare, është dashur që qytetarëve të Kosovës t'iu jepet mundësia që ta festojnë qysh duhet festën.

“Ka plot njerëz që për shkak të këtij vendimi që ka bërë qeveria që vetëm e mërkura të jetë ditë pushimi i kanë anuluar vizitat në Shqipëri, sepse të enjten duhet të paraqiten në punë. Kjo ka shkaktuar kokëçarje te qytetarët. Nëse për 100-vjetor nuk lidhen ditët e pushimit, atëherë pse në rastet tjera janë lidhur madje edhe nuk ka pasur fare nevojë”, ka thënë Kursani.

Ndryshe, festat zyrtare në Republikën e Kosovës janë: Viti i Ri, 1 dhe 2 janari; Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti; Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli; Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji; Dita e Evropës, 9 Maji; Bajrami i Madh, dita e parë; Bajrami i Vogël, dita e parë; Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor; Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar; Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve; Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›