E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qerbelaja

Në dhjetëra lagje të këtij qyteti, po çojnë krye "kullat e Isës". “Mati një” ose “...dy”, “Velania” pak më tutje, apo Lagjja e Spitalit, apo ajo tjetra pranë Rrethit, apo një tjetër përtej dhe mu në qendër që ngjitet sipër e deri te varri i liderit shpirtëror të Isës, janë bërë belaja e këtij qyteti. More janë bërë Qerbelaja e tij.
Zhurmë, shumë zhurmë ishte bërë për shtëpitë në ndërtim të kryeministrave. Këtij që është aktualisht dhe të një tjetri që është në opozitë. Zhurmë, shumë zhurmë ishte bërë për aferat e mundshme korruptive të disa ministrave aktualë dhe të disa ish-ministrave. Shumë zhurmë për qytetarë me funksione politike, por sa pak zhurmë për kryeqytetin që po vdes përditë e me ritme të shpejta.
Trimat e politikës shqiptare të kryeqytetit, ata që do të duhej të merreshin me infrastrukturën e tij, me ndërtimet dhe rrugët, me çerdhet dhe kopshtet, terrenet sportive dhe me bukurinë e kryeqytetit, janë shtrirë "o bir, o bir". Do të donin me u marrë pak me politika të larta, se mos po prishin e po ndreqin koalicione. Në mos, helbete tuj prishë e tuj ndreqë, e shpartallojnë zemrën e elektoratit dhe munden me e pasë pronësinë mbi votën e tij, sepse me punën që po e bëjnë, vështirë ta sigurojnë atë.
Ne që jetojmë në këtë qytet, që po shpërfytyrohet përditë, ka nisë t'na marrë malli me ikë prej tij. Kjo jo vetëm nga pisllëku dhe pluhuri, nga rrugët e bllokuara me orë e më ditë, nga tymi që po na zë frymën dhe nga bordelet e lavireve të pista, por edhe nga këta burra që "diellin na e kanë zanë".
Në dhjetëra lagje të këtij qyteti, po çojnë kry "kullat e Isës.". “Mati një” ose “... dy”, “Velania” pak më tutje, apo Lagjja e Spitalit, apo ajo tjetra pranë Rrethit, apo një tjetër përtej dhe mu në qendër që ngjitet sipër e deri te varri i liderit shpirtëror të Isës, janë bërë belaja e këtij qyteti. More janë bërë Qerbelaja e tij. Komunarët thonë se gjithçka po bëhet sipas planit dhe normave, por në terren situata është tjetër. Në shumicën e rasteve as respektohen normat e as ligjet. Sipërfaqet e gjelbra, mund të shihen vetëm në animacionet kompjuterike. Ku janë gjashtë kate, bëhen tetë, ku janë tetë bëhen dhjetë. Ata që janë brenda çështjes thonë se është gjetur modeli i pajtimit edhe për të ndryshuar planin urbanistik të kryeqytetit edhe normat e ndërtimit. Paguajnë gjobë në shuplakë dhe nën dorë dhe ecin drejt qiellit për ta zënë diellin. Diellin që nuk bie në lagjet e pista që po ndërtohen, e që nuk kanë as rrugë, as ujë, as dritë, por që ngjajnë në kolonitë e gabelëve të "Moravskës". Kjo jo për shkak të shpirtit fisnik e gazmor të tyre, por për urbanistikën e çergarëve.
Ata që ndonjëherë e kanë vizituar burgun më famkeq të Hitlerit, Auschwitz, do të donin që të jetonin më parë aty se sa në "kullat e Isës" në Prishtinë.
Ka kohë që i pari i kryeqytetit nuk i ka nxjerrë fadromat në rrugë. Iku kohë e votës dhe bashkë me të edhe malli për të vënë rregull në këtë qytet. Duket që tash është koha të ecet me BMW.
Qyteti që po bëhet milionësh, është larg qyteteve përreth, siç janë Shkupi, Podgorica apo edhe Tirana. Me katrahurën urbanistike, kryeqyteti i Kosovës është vështirë të bëhet qytet ndonjëherë. Specialistët thonë se "edhe po të çohet nga varri arkitekt Sinani nga Elbasani", s'ka shpresë.
Ky qytet po mbetet pa frymë.
Apo kullat e Isës nuk janë vetëm të Isës. Kanë hise aty edhe presidenti, edhe kryeministri, edhe parlamenti, edhe qytetarët e tij. Bile hise në përgjegjësinë që po e vrasin një qytet. Që po ia marrin fytyrën dhe shpirtin. Apo do t'na pëlcasë një ditë e do të lutemi  "o Zot po dridhe një herë se na doli shpirti!" Kështu siç po shkon, po na shkojnë "në të s’amës" edhe kultura, edhe qytetaria, edhe fytyra. Do të turpërohemi një ditë, sa herë t'na vijnë mysafirë në Prishtinë. Brezat që vijnë do të gjejnë arsye dhe do të thonë se edhe ky qytet ka pasur  "neronët" e tij.
çdo kohë i ka vlerat e saj. Ne sot përplasemi fort për disa xhami e hamame, për disa çarshi e për disa hane që po i rrafshojnë përtokë, dhe duam që ta kthejmë identitetin tonë të humbur në arkitekturën që nuk e patëm kurrë. Sa për të rregulluar deficitin atdhetar, bëhen edhe sikur po e kthejnë një kohë të vlerave të "kullave të Isa Boletinit", sikur iu doli shpirti për t'i ngritur në këmbë edhe një herë. Dhe ustallarët e këtij qyteti, me leje të Isës, i janë futur si kurrë ndërtimit të "kullave të Isës". Në emër të frymës që po i zihet këtij qyteti, unë dua që ato të bjerë përtokë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›