E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qershori, PD dhe PS, në zgjedhje të brendshme

Demokratët pritet të zgjedhin Kryesinë dhe Sekretariatin, socialistët krerët e degëve

Dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, pritet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të brendshme në strukturat e tyre, në muajt e nxehtë të verës. Kështu PD-ja, në muajin e ardhshëm, pritet të zgjedhë edhe Kryesinë e saj të re dhe Sekretariatin, duke përfshirë edhe nënkryetarët e partisë, pas rreth gjashtë muajsh shtyrje. Nga ana tjetër, PS-ja do të zgjedhë në muajin qershor edhe krerët e degëve të saj në të gjitha rrethet.

Demokratët

Problemet politike me PS-në, si dhe detyrat që ka qeveria në kuadër të marrëdhënies me Bashkimin Europian, duket se janë arsyet kryesore, pse Partia Demokratike ende nuk ka mbledhur Këshillin Kombëtar për të zgjedhur Kryesinë e re qendrore si dhe Sekretariatin e partisë. Por mësohet se procesi, i cili ka rreth gjashtë muaj që shtyhet, do të mbyllet brenda kësaj vere dhe nuk do të shtyhet për në muajin shtator. Këshilli Kombëtar duhej të ishte mbledhur në dhjetorin e vitit të kaluar menjëherë sapo ai u zgjodh nga Kuvendi Kombëtar i PD-së. Ndonëse kjo nuk ndodhi, si pasojë e situatave të ndryshme, ai nuk u mblodh as në janar, apo në fillimin e shkurtit, ashtu siç ishte premtuar nga Kryeministri Berisha. Sipas statutit, do të jetë kryetari i PD-së, Berisha personi i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar edhe listën me 38 kandidatura, mes të cilave anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e Kryesisë së re. Përveç Kryesisë, ndryshime pritet të bëhen edhe në Sekretariatin qendror të PD-së, ku mund të shtohen edhe poste të rinj sekretarësh. Nga ana tjetër nuk priten surpriza në votimin për nënkryetarët e PD-së, ku përsëri në këto poste pritet të rikonfirmohen Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.

Socialistët

Qershori pritet të jetë muaj elektoral për Partinë Socialiste. Ndryshimet statutore të miratuara në kongresin e fundit kanë riformatuar strukturat lokale të PS-së, funksionalizimi i të cilave do të jetë produkt i votimeve të anëtarësisë. Produkt i një procesi zgjedhor do të jenë Asambletë e Rretheve, të cilat do të zgjedhin edhe kryetarët e degëve. Parimi “një anëtar, një votë”, që për gati katër vjet udhëhoqi proceset e mandatimit politik në selinë rozë, i kanë lënë vendit formulave të dikurshme që i lënë më shumë hapësirë forumeve. Me rëndësi është përfshirja për votimin në strukturat e degëve edhe e kryetarëve të organizatave bazë, gjë e cila e shtrin nivelin e përfaqësimit deri në qelizën elementare të partisë. Ndërhyrje janë bërë edhe në planin organizativ, teksa degët në nivel lokal janë bashkuar sipas njësive administrative, duke centralizuar drejtimin politik në bazë. Koordinatorët janë një institucion i ri, që do të marrin detyrën pas votimit në Asambletë e rretheve. Por ndryshimet sanksionojnë edhe përfaqësimin e grave që zbret nga kuota 50% në 30%, duke e përputhur shifrën me atë që sugjeron edhe Kodi Zgjedhor. Procesi që hapet në bazë shkon paralel me rinovimin e paralajmëruar të Kryesisë së PS-së, e cila shumë shpejt do të rikompozohet. Sa i përket kësaj të fundit duhet thënë se aksionet e fundit politike me gjasë mund të frenojnë një “spastrim” nga zërat ndryshe, pasi suksesi i paqartë për të gjithë i grevës së urisë dikton nevojën e unifikimit të bazës së partisë. Mjafton të përmendet këtu deklarimi i para dy ditëve i deputetit Kastriot Islami, pjesëtar i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, sipas të cilit oponencën ndaj vijës zyrtare e mbështesin “një e treta e Kryesisë, një e treta e Asamblesë dhe e Kongresit”. Një shifër kjo që sipas Statutit mjafton për të aktivizuar mocionin e mosbesimit për kryetarin e partisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›