E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbivendosjet në Farkë dhe Dajt, priten dy ekspertiza

Hetimet

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se janë vënë nën hetim disa komunarë nën akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “mbivendosjes së pronave”. Sipas hetuesve të çështjes, dosja e Farkës ngjason me hetimet për mbivendosjet në Komunën e Kasharit, ku disa krerë vendorë të komunës u vunë në pranga për abuzime me dhënien e titujve të pronësisë. Por krahas drejtuesve vendorë të komunës, prokuroria dyshon se mbivendosjet e pronave janë bërë edhe me ndihmën e disa punonjësve të Hipotekës, të cilët kanë regjistruar një pronë dy herë. Burimet thonë se hetimet e mëtejshme mund të përcaktojnë personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë, si dhe sipërfaqet e sakta të mbivendosura në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në afërsi të zonës së Dajtit, si dhe në zonat përreth Tiranës, të cilat janë të preferuara për biznesmenët. Mësohet se në Komunën e Farkës janë ndërtuar dhjetëra vila, ku disa pronarë kanë përfituar truall në bazë të mbivendosjes. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, ekspertë të pavarur, kryesisht topografë, kanë shkuar në terren për të matur parcelat ku dyshohet se është mbivendosur prona. Në prokurori pritet të paraqiten dy ekspertiza, një për mbivendosjet në Komunën e Farkës, tjetra për mbivendosjet në Komunën e Dajtit. Mësohet se zyrat kadastrale në Komunat e Farkës e Dajtit, në periferi të Tiranës, janë verifikuar nga Task-Forca, në kuadër të hetimeve për mbivendosjet e pronave në këtë zonë. Hetues të kësaj njësie kanë materiale voluminoze në komuna në lidhje me titujt e pronësisë të dhëna nga zyrtarët vendorë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›