E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri - KLD, përplasje për gjyqtarët

Debate të ashpra për ndarjen e kompetencave të Inspektorateve, gjatë mbledhjes së djeshme. Kundërshtohet ministri
Ministri i Drejtësisë tentoi të marrë kontrollin mbi Inspektoratin e KLD-së. Shkarkohet Gjinovefa Gaba
TIRANË- Debate të ashpra mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Mbledhja e djeshme e KLD-së ka thelluar edhe më tej ndasitë mes dy zyrtarëve, sa u përket kompetencave të tyre në kontrollimin e sistemit gjyqësor. Pasi mbrojti edhe një tjetër herë idenë se Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm duhet të ekzistojë, por edhe të fuqizohet, ministri Alibeaj ka kërkuar dje të vërë "disiplinë" edhe në Inspektoratin e KLD-së. Kjo ide i ka vënë kundër thuajse gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit, të cilit i kanë bërë me dije ministrit se nuk mund të ndërhyjë politikisht në kompetencat e KLD-së.
Gjatë mbledhjes së djeshme, që zgjati mbi 7 orë, u debatua ashpër mbi kërkesën e ministrit Alibeaj për të kufizuar kohën e inspektimeve në gjykatat e vendit dhe mënyrën e kontrolleve nga ana e Inspektoratit të KLD-së. Nën/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka mbrojtur idenë se inspektorët që kontrollojnë punën e gjyqtarëve nuk duhet të ndërhyjnë në vendimmarrje. Nga ana tjetër, ministrit Alibeaj i është bërë me dije se Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca mbi Inspektoratin e KLD-së, që funksionon mbi bazën e një ligji që garanton pavarësinë e gjyqësorit. Të njëjtin mendim kanë ndarë edhe anëtarët e tjerë të KLD-së, të cilët i janë kundërvënë Alibeajt. Sipas njoftimit zyrtar, anëtarët e Këshillit vendosën fillimisht zhvillimin e një inspektimi të gjerë me karakter kombëtar në të gjithë gjykatat e Shqipërisë, që do të synojë kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve, etikës së tyre dhe standardeve morale që ata demonstrojnë në dyert e gjykatave. Po sipas këtyreburimeve theksohet se nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka sugjeruar hartimin e një kalendari punimesh për inspektorët e KLD-së dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë.
Masat disiplinore ndaj tre gjyqtarëve të Apelit të Vlorës kanë pasuar pjesën tjetër të mbledhjes së djeshme të KLD-së. Anëtarët e Këshillit votuan me shumicë shkarkimin e Gjinovefa Gabës nga posti i kryetares së Apelit të Vlorës, ndërsa dy gjyqtarët e tjerë do ta marrin vesh fatin e tyre vetëm pas mbledhjes së ardhshme. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kishte propozuar në KLD procedimet disiplinore ndaj disa gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Vlorës. "Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas një shqyrtimi të gjatë respektoi dhe garantoi një proces të rregullt ligjor duke u njohur të gjitha palëve të drejtat e garantuara nga ligji dhe Kushtetuta, ku dëgjoi edhe pretendimet e kryetares së Gjykatës së Apelit Vlorë Gjinofeva Gaba në lidhje me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Në përfundim të këtij shqyrtimi anëtarët e KLD-së pranuan me shumicë votash (8 pro dhe 3 kundër) propozimin e ministrit për shkarkimin e gjyqtares Gjinofeva Gaba, nga detyra e gjyqtares dhe njëkohësisht kryetares së Gjykatës së Apelit të rrethit Vlorë"-thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të KLD-së. Mësohet se KLD-ja vendosi që shqyrtimet e dy propozimeve të tjera për dy gjyqtarët e kësaj gjykate, të diskutohen në mbledhjen e radhës.
DORËHEQJA
Kryegjyqtari fitoi  Llotarinë Amerikane
Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Bujar Musta, jep dorëheqjen e parevokueshme. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pranuar dje dorëheqjen e Mustës, duke e lejuar atë të lërë drejtimin e gjykatës së Elbasanit. Mësohet se shkaku që ky i fundit ka paraqitur dorëheqjen pranë KLD-së është se ka fituar Llotarinë Amerikane dhe do të largohet përfundimisht nga Shqipëria me gjithë pjesëtarët e familjes së tij.
SHKARKIMI
Gaba, shkelje në 15 dosje të gjykuara
TIRANE - Në dosjen voluminoze të depozituar në KLD nga Ministria e Drejtësisë gjenden72 faqe materiale për motivimin eshkarkimit të kryetares së Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba. Në të janë shënuar shkeljet e evidentuara në 15 dosje që kjo ka gjykuar nga viti 2004 deri në qershor të vitit të kaluar. Për secilën nga dosjet e kontrolluara, inspektorët kanë përpiluar minimalisht 4 faqe material, ndërsa në faqen e fundit të konkluzioneve është shënuar se i sugjerohej ministrit të Drejtësisë të kërkonte nisjen e procedimit disiplinor për shkarkimin e Gabës. Inspektimi në Apelin e Vlorës zgjati pak javë, ndërsa përfundoi në qershor të vitit të kaluar. Në analizën e përgjithshme të fakteve, inspektorët kanë shënuar se në vendimet e Gabës janë vërejtur paaftësi, dhënie vendimesh sipërfaqësore, abuzim me ligjin dhe mosadministrim të dokumentacionit të gjykatës. Në dokumentacionin e përgatitur në ngarkim të kryetares Gaba dhe katër kolegëve të saj Vasil Hanxhari, Sokol Ngresi, Meme Rexho dhe Alaudin Malaj, gjyqtarë Apeli në Vlorë dhe kryeqytet, inspektorët kanë shënuar me detaje të gjitha shkeljet. Më pas këto materiale i janë dorëzuar ministrit të Drejtësisë, i cili ka vënë në lëvizje mekanizmin e drejtësisë për shkarkimin e tyre nga puna.
Kryeprokurorja Ina Rama tha se 80 % e prokurorëve e donin ndryshimin. "Nuk jam ndikuar nga politika për reformën"
Rama: Transferimet, në bazë të shëndetit të prokurorëve
TIRANË- "Reformimi i Prokurorisë së Përgjithshme ishte i pashmangshëm". Kështu tha kryeprokurorja Ina Rama, në të parën konferencë para gazetarëve, duke u përpjekur të hidhte poshtë akuzat për transferime politike të prokurorëve të zyrës së saj. Por mungesa e argumenteve dhe shmangia e pyetjeve të gazetarëve duket se nuk i shërbyen kryeprokurores për t'i dhënë fund njëherë e mirë debateve mbi reformën. Rama la të kuptohej dje se "nxitjen" për largimin e 14 prokurorëve e ka marrë nga vartësit e saj, me anë të pyetësorëve që u kishte shpërndarë kohë më parë. "Nga analiza e përgjigjeve të marra, 80 % e prokurorëve shpreheshin se kishte nevojë për ndryshime",-pohoi ajo. Ina Rama tha dje se nuk ka qenë e ndikuar nga asnjë faktor politik në largimin e 14 prokurorëve prej zyrës së saj, drejt prokurorive të rretheve të ndryshme.
"Në funksion të ndryshimit, është raportuar me shkrim prej drejtuesve të secilës drejtori, volumi i punës si dhe treguesit e saj në lidhje me ngarkesën e çdo strukture që funksionon pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Çdo prokuror i zyrës ka raportuar me shkrim për punën individuale që ka kryer secili prej tyre, gjatë vitit të kaluar",-tha Rama, duke shtuar se një pjesë e tyre nuk ushtronte funksione me natyrë të mirëfilltë procedurale, por me natyrë administrative". Ulja e kostove është përmendur si argument pro reformës nga Ina Rama, e cila tha dje se rroga e një prokurori të Përgjithshëm është e barabartë me vlerën e pagës që ka një ministër apo anëtari i Gjykatës së Lartë. Kryeprokurorja Rama shpjegoidje se në strukturën e re, është vendosur bashkimi i drejtorive përkatëse, të cilat kanë pasur funksione të përafërta. "Kjo strukturë e re, e miratuar tashmë me dy urdhrat e lëshuar me datë 28 janar të këtij viti, evidenton nevojën e largimit nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të 14 prokurorëve. Për këtë shkak iu propozua Presidentit të Republikës, transferimi i disa prej prokurorëve të kësaj zyre në prokurori të tjera që ushtrojnë funksione brenda organit të akuzës",-tha ajo.
Sa për transferimet e prokurorëve, Ina Rama rrëfeu dje se ka pasur parasysh gjendjen e tyre shëndetësore dhe rrethanat e tyre familjare, pa bërë transparente mënyrën sesi ajo i ka vlerësuar këto dy faktorë, apo kornizat ligjore që e detyrojnë të tregohet kaq e "njerëzishme"."Pozicionimi i prokurorëve të transferuar, në prokuroritë përkatëse është bërë në varësi të nevojave dhe mundësive që krijon sistemi i prokurorisë në ditët e sotme dhe në konsideratë të rrethanave personale të tyre që lidhen me funksionin që ata kanë pasur në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, me gjendjen e tyre shëndetësore dhe rrethanat e tjera familjare",-shtoi ajo.
LËVIZJET
Asnjë koment për emërimin e kushëririt
TIRANË- "Duhej një impakt më i fortë në luftën kundër kriminalitetit, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti". Kështu e argumentoi lëvizjen e drejtuesve të prokurorive në rrethe, kryeprokurorja Ina Rama. Ajo pohoi se tashmë pritet një mënyrë më e fortë organizimi dhe drejtimi efektiv i punës. Duke iu shmangur komentit për emërimin e kushëririt të dytë të saj, si zvprokuror rrethi në kryeqytet, Rama nuk pranoi asnjë pyetje nga gazetarët e pranishëm, duke lënë një sërë pikëpyetjesh për dosjet që ndodhen në hetim në këtë institucion, ku më e rëndësishme është ajo e abuzimeve në rrugën Durrës-Kukës.
Ina Rama "kursen" një drejtori. Të gjitha ndryshimet në organin qendror të akuzës
Reforma, shkrihet drejtoria kundër Krimit të Organizuar
TIRANË- Riorganizimi i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ka filluar me shkrirjen e një drejtorie. Pas largimit të 14 prokurorëve, në organin qendror të akuzës do të ketë 4 drejtori dhe 17 prokurorë gjithsej. Sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni, me riorganizimin e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, kryeprokurorja Ina Rama, në bazë të ligjit "Për funksionimin dhe organizimin e prokurorisë" ka shkrirë Drejtorinë e Hetimit dhe Krimit të Organizuar, duke e bashkuar atë në një drejtori, që mban emrin Drejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale, që do ketë vetëm 7 prokurorë nga 15 që kishte më parë. Do të jetë në funksion Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe e Inspektimit, që do ketë vetëm 4 prokurorë nga 5 që kishte, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, që deri më datë 28 janar kishte si drejtor Ardian Vishën ,nuk do të ketë më një të tillë. Vendi i prokurorit është shkrirë në specialistë dhe juristë që do punojnë pranë kësaj zyre. Edhe Drejtoria e Studimeve Gjyqësore nuk do të ketë prokuror. Ndërsa Drejtoria e Ekzekutimeve të vendimeve Gjyqësore do vazhdojë të ketë një prokuror. Sektori i përgjimeve do të ketë një prokuror më pak. Ulja në detyrë e 14 prokurorëve ka hapur mjaft debate, pasi kryeprokurorja Rama largoi bashkëpunëtorët e paraardhësit të saj, Theodhori Sollaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›