Lista e ushqimeve, qytetarët e Tiranës 20 mln $ borxh
Shifra e borxhit të përhershëm që qytetarët e Tiranës u kanë shitësve dhe pronarëve të njësive tregtare është rreth 20 milionë dollarë
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini, ka denoncuar dje mosmbajtjen e premtimeve elektorale për varfërinë nga ana e Kryeministrit Berisha dhe ka shprehur shqetësimin e tij se sot, në mjaft qytete të vendit, ka me mijëra qytetarë që me të ardhurat e tyre nuk sigurojnë dot nevojat e përditshme. Deputeti Ulqini ka marrë si shembull qytetin e Tiranës dhe duke iu referuar monitorimit të varfërisë nga qendra të pavarura tha se arrin në 20 milionë dollarë borxhi që qytetarët e Tiranës i kanë shitësve dhe pronarëve të njësive tregtare, për shkak të marrjes së ushqimeve me lista. "Sipas disa qendrave të pavarura që monitorojnë nivelin e varfërisë, vetëm në qytetin e Tiranës shifra e borxhit të përhershëm që qytetarët e Tiranës u kanë shitësve dhe pronarëve të njësive tregtare është rreth 20 milionë dollarë", është shprehur ai gjatë seancës së djeshme. Për deklaratën e bërë në Parlament, deputeti i PS-së është nxitur nga fakti se, vetëm gjatë muajit janar janë shënuar 13 raste kur njerëz në kushte ekstreme të varfërisë i kanë dhënë fund jetës së tyre. Pretendimet për rritje të nivelit të varfërisë në vend, deputeti Ulqini i ka mbështetur edhe në faktet se, sipas burimeve të institucioneve ndërkombëtare, në Shqipëri rreth 600 mijë qytetarë vlerësohen si të varfër dhe mbi 100 mijë mezi sigurojnë të ardhura sa për të mbajtur frymën gjallë. Emrat e këtyre qytetarëve shtohen përditë në listën e njësive tregtare të kryeqytetit, tha Ulqini, duke treguar në dorë disa fletore, që sipas tij, janë provë e trishtueshme e varfërisë, dhe duke theksuar se numri i shqiptarëve që jetojnë në varfëri ekstreme është rritur dhe nuk është zvogëluar, siç kanë premtuar të djathtët kur erdhën në pushtet.
Premtimet
Pasi bëri një panoramë të situatës së varfërisë në vend, e sidomos në kryeqytet, deputeti i PS-së vuri theksin në premtimet e pambajtura të Kryeministrit Berisha lidhur me uljen e varfërisë, si "Skema e Kafshatës", premtimi që qytetarët të mos marrin më ushqime me lista etj. Duke i konsideruar këto si qesharake përkundrejt realitetit, Ulqini përmendi edhe premtimin e shkruar në programin e qeverisë, se brenda katër viteve do të përgjysmohet niveli i varfërisë monetare, ndërsa asnjë shqiptar nuk do të jetojë më nën nivelin ekstrem të varfërisë ushqimore. "Në kulmin e fushatës elektorale, Berisha u fut një njësinë bashkiake nr. 2 dhe duke tundur një fletore si kjo, deklaroi se "vetëm kjo fletore mjafton për t'u thënë qeveritarëve socialistë se duhet të largohen nga pushteti". E çfarë duhet t'i them sot Kryeministrit Berisha kur nga e njëjta rrugë dhe njësi bashkiake e Tiranës kam sjellë përpara jush, të nderuar kolegë deputetë, jo më një, por 15 fletore të tilla mjerimi", tha deputeti i PS-së, duke përmendur në fjalën e tij edhe fjalime të tjera të Kryeministrit, në të cilat ka premtuar ulje të varfërisë. Ndaj diskutimit të Ulqinit në Parlament ka reaguar deputeti i PD-së, Pal Dajçi, sipas të cilit, në zonën ku ai është zgjedhur deputet qytetarët që marrin ushqime me listë janë pakësuar dhe vazhdon puna për eliminimin e këtij fenomeni.