Qeveri me duar, por jo të pastra

Lëvizja FOL ka vendosur dy duar të përlyera në rrethojat e Qeverisë së Kosovës, si simbolikë për shkallën e korrupsionit në nivel qeveritar.
Performanca e FOL-it përkon me dyvjetorin e votimit të Qeverisë Thaçi - 2. Armend Mazreku nga kjo lëvizje, ka përmendur rastet që janë duke u hetuar ose gjykuar, në të cilat përfshihen zyrtarët qeveritarë.“Kemi një zëvendëskryeministër që është i përfshirë në një aferë korruptive që ka të bëjë me skandalin e hotelit Grand, e i cili ende e vazhdon fushëveprimin e tij brenda kabinetit qeveritar. Po ashtu, janë aferat e shumta të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë. Si një lloj vule e gjithë këtyre aferave korruptive është skandali i MPB-së me pasaporta biometrike”, ka thënë Mazreku, transmeton ktv.
Ai ka shtuar se dokumentet, siç është Strategjia Anti-korrupsion, janë të thata që nuk prodhojnë kurrfarë ndryshimi në terren./Indeksonline/