E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria 1 minutë heshtje për viktimat e aksidentit të Himarës. 5 studente lënë Spitalin e Vlorës në gjendje të mirë

23-05-2012 / Gazeta 55

Vasili: Dy vajzat në gjendje të rëndë do dërgohen në Austri


Berisha: Ngjarja më tragjike në historinë e vendit, kushte dhe rregulla të veçanta për udhëtimet e nxënësve dhe studentëve.


Papa Benedikti XVI ngushëllon familjet e viktimave


UPDATE- “Ky ishte një nga aksidentet më tragjik në historinë e vendit”. Kështu u shpreh sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha ku kërkoi nga kabineti qeveritar të mbajë një minutë heshtje në nderim të 13 viktimave të këtij aksidenti. Shefi i ekzekutivit shprehu dhe njëherë ngushëllime për jetët e humbura, ndërsa garantoi të lënduarit për përkushtimin maksimal të qeverisë. “Ngushëllimet më të thella, solidaritetin më të lart, familjeve të viktimave të këtij aksidenti tragjik. Të lutemi që ata të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen e madhe e të rëndë të shkaktuar nga humbja e jetës së vajzave të tyre. Urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve dhe të traumatizuarve nga ky aksident dhe garantojmë se qeveria do bëjë gjithçka në shërimin e tyre”- u shpreh Berisha. Ndërkohë që kreu i qeverisë ndalur në një ngjarje tronditëse nuk mund të mos bënte dhe një sërë falënderimesh. “Falënderoj në emër të qeverisë të gjithë ata gra e burra të rinj që me përkushtim të jashtëzakonshëm në dhënien e ndihmës së shpejtë, banorët e Himarës për reagimin e tyre njerëzor shumë të shpejtë, të cilët në fakt kanë qenë e rëndësishme në ecurinë e mëtejshme të shëndetit të personave të traumatizuarve. Falenderime për ekipin e mjekëve të të gjitha spitaleve që u angazhuan plotësisht mbi këtë ngjarje, ekipet e helikopterëve që funksionuan në një mënyrë të shkëlqyer, qytetarët e shumtë që dhuruan gjak”, u shpreh Berisha. Ndërkaq, nisur nga fakti se aktualisht po hetohet mbi këtë aksident, kreu i ekzekutivit kërkoi që ky hetim të jetë i gjithanshëm dhe i plotë. Por nga ana tjetër, sipas tij, është e domosdoshme që të merren masa të reja dhe të posaçme për mënjanimin e aksidenteve të tilla. “Aksidenti është nën hetim dhe një hetim i gjithanshëm duhet të behët. Është e parakohshme të flitet për të, por ministritë e linjës duhet të merren me gjithë këtë problematike. Ne kemi rregulla të caktuara për udhëtimet e nxënësve apo studentëve në shumë autobusë, por pas përfundimit të hetimeve të plota të aksidenti me tragjik në historinë e vendit, të nxirren të gjitha përfundimet në mënyrë që transporti i organizuar i nxënësve dhe studentëve të ketë kushte dhe rregulla të veçanta, të përcaktohen qartë detyrimet dhe respektimi i tyre”, deklaroi Berisha, sa i takon një çështje të tillë. Në gjykimin e Kryeministrit, është detyrë e të gjitha institucioneve që ta studiojmë rastin konkret për të dhe hartuar rregulla që ndikojnë pozitivisht në parandalimin e tyre. Sipas tij, ministritë dhe agjencitë duhet të marrim masat për parandalimin e të tilla aksidenteve.


Vasili: Dy vajzat në gjendje të rëndë do dërgohen në Austri

Ministri i Shëndetësisë deklaroi sot se dy studentet e aksidentuara rëndë dy ditë më parë, do dërgohen nesër në Austri për mjekim të specializuar. Eriselda Gubere, 21 vjeç nga Lushnja dhe Florije Peci, 21 vjeç nga Librazhdi, janë dy vajzat të cilat ndodhen ende
në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë që, Kaltra Pollozhanit pas terapisë intensive në Spitalin Ushtarak, është më e stabilizuar.


5 studente lënë spitalin e Vlorës


Pas përmirësimit të gjendjes së tyre shëndetësore kanë lënë spitalin e Vlorës 5 nga vajzat e plagosura në aksidentin e ndodhur dy ditë më parë në Himarë. Bëhet fjalë për studentet Ergita Opingari, Ticiana Hysaj, Anisa Hysa, Enkela Daja dhe Adisa Çela të cilat do të marrin mjekim në rrethet përkatëse. Ndërkohë, 5 studentet e tjera janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhen nën mbikëqyrjen e mjekëve në Vlorë. Si pasojë e një aksidenti tragjik në Himarë humbën jetën 11 studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, drejtuesi e mjetit, i fejuari i njërës prej studenteve dhe u plagosën 26 studente të tjera.


Papa Benedikti XVI ngushëllon familjet e viktimave


Papa Benedikti XVI ka ngushëlluar sot familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. Përmes një mesazhi drejtuar Shkëlqesisë së tij Monsinjor Hil Kabashi i cili është administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut, Ati i Shenjtë thekson se lutet për viktimat dhe të plagosurit e aksidentit. “U informova për aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi në zonën e Himarës, ku humbën jetën trembëdhjetë studente dhe shpreh pikëllimin e thellë për familjet e viktimave ndërsa lutem  nga zemra për të vdekurit dhe për të plagosurit. I lyp Zotit ngushëllimin për ata që vuajnë për humbjen tragjike të të dashurve të tyre dhe bekimet qiellore mbi gjithë Kombin e goditur nga kjo ngjarje kaq tragjike”- thuhet në mesazhin e Papës.


Studentet u vizituan sot në Spitalin Ushtarak nga rektori Varoshi


“Ekspeditat janë pjesë e planit mësimor të studentëve”


Ekspeditat janë pjesë e planit mësimor. Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan pas vizitës së vajzave të plagosura në aksidentin e Himarës që po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin Ushtarak ka sqaruar se studentët e Gjuhë-Letërsisë atë që kanë mësuar në teori duhet ta shohin dhe në praktikë pasi kjo do të jetë pjesë e vlerësimit të tyre. Prindërit e disa prej studenteve që humbën jetën në aksident janë shprehur se nuk kishin dashur t’i lejonin vajzat të shkonin në ekspeditë, por ato ishin të detyruara nga pedagogët.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›