Berisha: Reforma zgjedhore, sipas rekomandimeve të ODIHR, opozita të tregohet konstruktive

Një ditë para se të mbyllet e afati i kërkuar nga komisioneri për zgjerimin Stefan Fule për mbylljen e reformës zgjedhore, në mbledhjen e qeverisë kryeministri Sali Berisha ka apeluar opozitën të kompletojë në afatin kohor dhe më të shpejtë reformën zgjedhore.
Shefi i ekzekutivit shprehu dhe një herë qëndrimin se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë më të favorshmet për opozitën, qeverinë dhe shqiptarët. Kryeministri tha se duhet respektuar rekomandimi për numërimin elektronik me projekt pilot, por shprehu dhe një herë qëndrimin kategorik kundër hapjes së të gjitha materialeve zgjedhore bazuar mbi dyshime dhe jo fakte, ndërkohë që i gjithë ky proces pretendohet të bazohet mbi vullnetin e dy personave. Sipas tij, ky do të ishte kërcënim i madh për zgjedhjet. “Që dy vetë të kenë në dorë gjithçka për materialin zgjedhor është kërcënimi më i madh që mund t’i bëhet procesit zgjedhor. Në një kohë që nuk ka rekomandim që të merret vendim më katër vota, ka një të tillë për dy vota. Kujt i intereson kjo, po kanë të drejtë që çdo material do të hapet. Por nëse kjo e drejtë u jepet dy përfaqësuesve politikë atëherë zgjedhjet nuk janë të qytetarëve por të partive”- u shpreh Berisha.
Lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit procedura për të cilën nis të enjten, kreu i ekzekutivit nuk dhe asnjë qëndrim, bazuar mbi atë që ka theksuar prej javësh se gjithçka do të ndodhë vetëm kur të nisë procesi kushtetues i zgjedhjes së Presidentit.
“Mendoj se përfaqësuesit në komisionin e reformës zgjedhore kanë bërë një punë shumë të mirë. Nga një klimë do të thosha mosbesimi ky komision ka funksionuar me përgjegjësinë dhe seriozitetin më të madh dhe përfaqësuesit e opozitës kanë konstatuar se ne i jemi përmbajtur premtimit tonë. Në fillim ata kërkuan që të kishin iniciativën dhe mendonin se mazhoranca me propozimet e veta do të përpiqej të tërhiqte nga vetja e saj por ne faktuam që kjo nuk është e vërtetë. Ne vlerësuam propozimet e opozitës. Ka një moment ku nuk mund të ketë diskutime dhe kjo është rekomandimi i ODIHR-it. Ky rekomandim lidhur me procedurat elektronike nuk vjen se përfaqësuesit e këtij organi nuk janë të njohur me moshën dixhitale, përkundrazi ata janë më të njohur përsa i përket zgjedhjeve dhe dixhitalizimit. Mendoj se rekomandimi i tyre është interesi i parë më i madh i opozitës sepse nëse opozita do siguri në zgjedhje ajo nuk mund të vrapojë pas opsioneve të cilat nuk japin sigurinë e plotë, nuk janë të testuar dhe ODIHR-i kërkon që të bëhet një studim pilot. Kjo është në interes të opozitës dhe shqiptarëve në vend. Numërimi elektronik është një realitet me probleme të pamohueshme që në rastin e fundit u karakterizua me bllokimin e makinerive dhe u nga ndërprerja e energjisë elektrike. Unë mendoj që në zbatim të këtyre rekomandimeve ne të plotësojmë kodin” theksoi Berisha.
Kërkesën tjetër të opozitës për hapjen e materialeve zgjedhore me vendim të dy përfaqësuesve në KQZ, Berisha e quajti kërcënimin më të madh që mund t’i bëhet procesit zgjedhor. “Kërkojnë një vendim që të merret me dy vota, që do të thotë për të futur zgjedhjet në një proces të pafund. Po ka të drejtë çdo material duhet të hapet, por kjo duhet të jetë gjykata. Ne jemi dakord. Por nëse një vendim i tillë u jepet dy përfaqësuesve partiak, zgjedhjet nuk janë më të qytetarëve”- tha kreu i qeverisë.
Me 15 maj komisioni i reformës zgjedhore mbylli mandatin e përcaktuar nga parlamentit, pas shtyrjes tre herë të punës së tij. Por një ditë para përfundimit të këtij afati ishte komisionieri për zgjerimin Stefan Fule që i kërkoi klasës politike ta mbyllin këtë reformë brenda 24 majit kur nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Pavarësisht këtij afati palët nuk kanë konkretizuar ende asgjë me punën e këtij komisioni, dhe duket se gjithçka do të mbetet pjesë e dakordësisë politike mes kreut të qeverisë Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama.