E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni PDK-LDK deri në fund të mandatit

Prishtinë, 23 gusht - Kërkesa e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa për prishje të koalicionit PDK-LDK, nga ana e sekretarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramë Manaj është parë si një mendim individual, ndërkohë që ka potencuar besimin e tij të plotë se koalicioni aktual do të vazhdojë deri në fund të mandatit.
Manaj është pajtuar se as ky koalicion nuk është i përkryer, megjithatë ka thënë se po bëhet gjithçka që është e mundur për të pasur një qeveri efektive, ka raportuar gazeta Express.
“Ai është një mendim individual, që ka plotësisht të drejtë ta thotë dhe zoti Mustafa e ka autoritetin e tij prej kryetari të komunës, prej anëtari të përgjithshëm, por është shtruar kjo çështje edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm dhe natyrisht nuk ka pasur përgjigje tjetër. Koalicioni vazhdon dhe ai do të vazhdon të funksionojë. Sipas përshtypjeve të mia dhe pikëpamjeve të mia personale, unë mendoj se do të vazhdojë deri në fund të këtij mandate”, ka thënë Manaj
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj pajtohet se koalicioni aktual nuk është i përkryer, por vlerëson se po bën punë të mira dhe se partneriteti mes dy partive në pushtet është i qëndrueshëm.
“Ky koalicion është formuar për qëllime madhore, ato dihen, janë bërë publike që nga fillimi. Ne do të donim të ishim të përkryer, por asnjë koalicion dhe asnjë veprimtari në stadet e tashme të zhvillimit të një shoqërie, nuk mund të jetë në piedestal të sukseseve dhe efekteve. Ne vlerësojmë se vazhdon pozitivisht ushtrimi i kompetencave, i punëve të Qeverisë së Kosovës, në kontekstin e partneritetit qeveritar mes dy partive që jemi në koalicion”, ka thënë Manaj.
Ky reagim i Manajt, ka ardhur pas deklaratave të kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa, i cili njëherit është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të LDK-së dhe një nga zërat më të fuqishëm për prishjen e koalicionit PDK-LDK.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›