E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shteti, i papërshkueshëm nga korrupsioni



Kryeministri Sali Berisha premton se reformat do të bëjnë të mundur një shtet të papërshkueshëm nga krimi dhe korrupsioni. Sipas tij, cilido që të jetë çmimi i reformave, ato janë më se të dobishme, në rast se parandalojnë korrupsionin. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, z. Berisha paralajmëroi se "do të shqyrtohet çdo procedurë e këtij shteti, duke u përpjekur për ta bërë atë të papërshkueshme nga korrupsioni". "Ne kemi probleme madhore me hipotekat dhe kthimin e pronave, ndaj cilido që të jetë çmimi i dixhitalizimit ne duhet ta përdorim atë në kohë rekord. Korrupsioni është një problem shumë serioz edhe në fushën e shëndetësisë dhe ne po vendosim luftën kundër tij, si prioritetin e të gjitha prioriteteve", - tha Kryeministri. Berisha përmendi se "edhe Policia e Shtetit ka bërë një luftë konstante kundër prekjes nga krimi dhe korrupsioni, por kjo luftë duhet të jetë shumë më efikase dhe është e domosdoshme që të përcaktohen të gjitha procedurat që të parandalohet ryshfeti". “Syri elektronik” duhet të kapë çdo qoshe dhe ne duhet të zmbrapsim gjithnjë e më shumë presionin e korrupsionit në tatime, dogana, polici dhe në të gjitha institucionet e tjera", - tha Kryeministri, duke paralajmëruar se departamenti i Antikorrupsionit ka marrë porosi që të gjitha prokurimet me çmimin më të ulët, të cilat janë refuzuar, të shqyrtohen me imtësi dhe shumica e tyre t'i dërgohen organit të prokurorisë për një vlerësim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›