E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 2 miliard lekë kredi KESH-it

29/02/2012  Marrëveshja e huasë është nënshkruar nga Ministri i Financave dhe drejtori i Koorporatës

Fondet për importin e energjisë janë dhënë për 6 muaj me interes maturimi 0.5 për qind

Qeveria shqiptare i jep hua 2 miliardë lekë Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare për blerjen e energjisë elektrike. Ditën e djeshme është zbardhur vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.81, datë 13.2.2012 për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2012, për KESH-in, në formën e një huaje afatshkurtër me interes 0.5 për qind. Kjo shumë parash që vjen nga fondi i kontigjencës, ishte zgjidhja e vetme për të siguruar importin e energjisë elektrike. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo, afati i maturimit të huas është 6 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. KESH do të shlyejë principalin e huas në një këst të vetëm, në fund të periudhës së maturimit. Mësohet se KESH do të paguajë një interes në masën 0.5 për qind në vit, mbi bazën e principalit të huas së disbursuar. Llogaritja e interesit do të bëhet mbi bazën e numrit faktik të ditëve dhe të vitit prej 360 ditësh. Pagesa e interesit do të kryhet në të njëjtën datë me pagesën e principalit. Nëse KESH nuk do të kryejë pagesat sipas përcaktimeve në marrëveshje, do t’i paguajë Ministrisë së Financave interesvonesa mbi shumën e detyrimeve të papaguara, në përqindje të barabarta me “Yeldin Mesatar të Bonove të Thesarit, 1-vjeçare, të rezultuar në ankandin e fundit të vitit 2011”. Ndërkohë, në rast të shlyerjes së parakohshme të huas, nuk do të aplikohen penalitete, ndërsa në rast mos pagimi Ministria e Financave rezervon të drejtën e konfiskimit të të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike.

Liqeni i Fierzës

Niveli në liqenin e Fierzës vijon të jetë konstat që prej disa ditësh. Sipas burimeve zyrtare nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare, niveli i Fierzës arrin aktualisht në 255.9 metra. Nga ana tjetër, prurjet janë rritur, si pasojë e reshjeve të rëna në ditët e fundit, por edhe për shkak të shkrirjes së borës. Kështu, prurjet mesatare arrijnë së fundmi në 170 metër kub për sekondë. Kjo vlerë shënon një rritje dy herë më të lartë të prurjeve, të cilat pak ditë më parë ishin 70 metër kub për sekondë. Megjithëse, dëbora nuk ka shkrirë plotësisht, por mund të thuhet se niveli në hidrocentrale po mbetet i njëjtë. Edhe në rastet kur ky nivel do të rritej, uji do të përdorej për prodhimin e nevojshëm të energjisë për konsum vendas.

Reshjet e dëborës

Dëbora në pjesën më të madhe të veriut të vendit ende nuk ka shkrirë plotësisht aq sa të ndikojë në rritjen e sasisë së ujit që mbërrin në hidrocentrale. Megjithatë, vazhdimi i prodhimit të energjisë me kapacitet të plotë do të parandalonte mundësinë që liqeni të kapërcejë vlerën maksimale të tij, duke llogaritur shkrirjen e reshjeve të shumta të dëborës që kanë rënë. Shkrirja e dëborës do të krijonte mundësinë e eksportimit të energjisë elektrike jashtë vendit.

Importi i energjisë

Muajt e fundit KESH-i së bashku me CEZ-in kanë importuar sasi të shumta energjie, çka ka bërë që qeveria shqiptare të marrë në konsideratë edhe rishikimin e buxhetit, ndërkohë që gjatë dimrit konsumi i energjisë ka qenë në nivelet maksimale - rreth 25 milionë kilovat-orë. Aktualisht, konsumi i energjisë është 23 milion kilovat orë, nga të cilat 9.9 prodhohen nga HEC-et. Ndërkohë, mësohet se janë siguruar kontratat edhe për importin e muajit mars.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›