E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekreti shtetëror kalon në varësi të kryeministrit

29/02/2012  Debate dhe akuza mes deputetëve të PD-së e PS-së në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

Mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Sigurisë kanë debatuar dje në lidhje me kalimin në varësi të Kryeministrit Berisha të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Edhe pse vendimmarrja i përket Komisionit të Ligjeve, zyra e Kryeministrit kërkoi që të sqaroheshin nga ana juridike termat dhe të thuhej qartë se informacionet që përbëjnë sekret shtetëror t’i shkojnë kryeministrit dhe jo thjesht Këshillit të Ministrave, siç ka qenë deri tani. “Ky ndryshim është thjesht çështje teknike. Drejtoria e DSIK-së vetëm i mbikëqyr informacionet sekrete, pra ajo merret vetëm me menaxhimin dhe shpërndarjen e informacionit sipas institucioneve përkatëse. Relacioni në këtë pjesë ka parasysh të shmangë ndoshta ndonjë ide, që ky institucion të jetë në varësi të Këshillit të Ministrave, ndërsa de facto që kur është krijuar është përcaktuar se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është person juridik, buxhetor në varësi të kryeministrit”, – u shpreh përfaqësuesi i Kryeministrisë Rezart Veseli. Por argumentimi i Veselit ka ngjallur reagimin e deputetëve socialistë. Duke iu referuar demonstratës së dhunshme të 21 janarit të vitit të kaluar, deputeti Arben Çuko u shpreh: “Ne nuk e miratojmë këtë projektligj, pasi nuk kemi besim te një njeri që fsheh provat e një krimi që ndodh në institucionin e tij, siç është rasti i vrasjes së Hekuran Dedës më 21 janar.” Ndërsa përfaqësuesi tjetër i PS-së në këtë komision, Ilir Gjoni, u shpreh se “ky kalim nuk lidhet aspak me përmirësimin apo korrigjimet e ligjit, por lidhet me një dëshirë politike të Kryeministrit për të akumuluar sa më shumë pushtete në duart e tij, pasi kalohet nga një kontroll kolegjial në atë individual”. Në përfundim të mbledhjes mazhoranca votoi e vetme projektligjin “Për sekretin shtetëror”, i cili pritet të diskutohet edhe nga Komisioni i Ligjeve.

Gazmend Bizhga

“Nëse do të ishte vetëm një ndryshim teknik, atëherë le t’i japim Kryeministrit në dorë edhe KQZ-në, që të mos lodhet Ristani për të shpallur fitues të zgjedhjeve. Po kështu t’i japim dhe ndonjë institucion tjetër dhe biem rehat. Por jo, ne me këtë që po bëjmë këtu po synojmë të mbrojmë besimin e qytetarëve tek institucionet e pavarura dhe vetë pavarësinë e këtyre institucioneve.”

Osman Metalla

Deputeti i mazhorancës në argumentimin e tij theksoi se delegimi i kompetencave është një ndërhyrje teknike dhe s’ka lidhje me pretendimet e deputetëve socialistë. “Kjo që po bëjmë tani është e vonuar, por pavarësisht kësaj mendoj se duhet ta miratojmë këtë ndryshim, pasi ky është një ndryshim në nivel teknik dhe nuk ka të bëjë me hamendësimet e kolegëve socialistë”, – tha Metalla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›