Elbasani pret sot 200 mijë vizitorë
ELBASAN- Mbi 200 mijë vetë pritet të jenë të pranishëm sot në Elbasan. Nga viti nё vit, festa pasurohet me gjёrat qё burojnё nga shpirti i vetё njerёzve. Mё 14 mars, Elbasani kthehet nё epiqendrёn e peligrinazhit. Festa ka njё ndikim tё çuditshëm tek tё gjithё. Duhet tё shkosh nё Elbasan, qё ta provosh kёtё ndjesi. Jo vetëm shtëpitë, por i gjithë qyteti vishet me dekor shumëngjyrësh, ashtu si lulet e pranverës. Në vigjilje të festës, ndërmarrja e dekorit zbukuron rrugët dhe sheshet kryesorë të qytetit. Ndërsa ndërmarrja e gjelbërimit mbjell lule dhe sipërfaqe të gjelbëruara. Për çdo vit bashkia Elbasan akordon një fond të veçantë për festën. Në pikat turistike dhe në parqe janë programuar të organizohen koncerte, lojëra popullore, pjesë humori etj.
Veç qytetarëve elbasanas, tashmë është kthyer në traditë që këtë vit të vijnë e të festojnë edhe zonat përreth, qytete të tjera të vendit, shokë e miq që kanë lidhje me këtë qytet. Ndaj për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, lëvizjen normale të mjeteve, rritjen e sigurisë ne akset rrugore, si dhe trafikut në qytet, Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan ka marrë të gjitha masat, për organizmin e shërbimeve të Drejtorisë dhe komisariateve të Policisë Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Peqin. Sipas drejtorit Jashar Vreka, qëllimi është “sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë festës së Ditës së Verës, parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, marrjen e masave për eliminimin e çdo ngjarjeje të mundshme kriminale dhe mbajtjen nën kontroll të personave me veprimtari kriminale”. Për realizimin e këtyre objektivave do të bashkëpunohet me bashkinë, për t’u njohur me aktivitetet që do të zhvillohen, do të shoqërohen personalitete të larta shtetërore që do të vizitojnë Qarkun e Elbasanit, si pjesëtarë ose të ftuar me rastin e Ditës se Verës. Të gjitha shërbimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan dhe komisariatit policisë do të kalojnë në shërbim të përforcuar, me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale. Në ndihmë të shërbimeve të komisariatit të Policisë Elbasan, do të vihen në dispozicion dhe forca nga komisariatet e Policisë Librazhd, Gramsh, Peqín. Policia rrugore do të patrullojë të gjitha akset rrugore për të bërë të mundur qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësoreve dhe evitimin aksidenteve gjatë zhvillimit të aktiviteteve. Ndërkohë, sipas drejtorit Vreka “do të merren masa për marrjen e informacioneve dhe kapjen e personave në kërkim, të cilët mund të shfrytëzojnë aktivitetet festive për lëvizjen në vendbanimet e tyre”. Për përballimin e këtyre masave do të angazhohen 80 forca të policisë rrugore, duke përfshire Njësinë Rajonale të Kontrollit të Autostradave dhe Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë.
Gjatë festimeve të datës 14 Mars, Njësia Rajonale e Policisë Rrugore Elbasan, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e aktiviteteve, me rastin e “Ditës së Verës”, do të bëjë bllokimin e bulevardit “Qemal Stafa”, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve në mënyrë horizontale, prej orës 09 të datës 14 Mars deri në përfundim të aktiviteteve. Lëvizja e mjeteve do të jetë e detyruar në unazën e qytetit dhe bulevardin “11 Nëntori”. Po kështu, për mjetet që do të vijnë me drejtim për në qendër të qytetit, do të ketë kufizime duke mos lejuar hyrjen e tyre në qendër dhe duke i orientuar me lëvizje të detyrueshme në aksin, Kryqëzim i Luleve - Ura e Shkumbinit, Kryqëzimi i Krastës, Kryqëzim i Luleve – Zaranik – Lagja Vullnetari.
Do të ketë dhe një sërë masash për shtimin e kontrollit ndaj përdoruesve të rrugës, që drejtojnë automjetin mbas përdorimit të pijeve alkoolike, tejkalim të normave të shpejtësisë, parakalime të gabuara, mbajtja e kaskave mbrojtëse nga motoçiklistët, vendosja e rripit të sigurimit, etj.
Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se gjatë festës së Ditës së Verës, mjaft qytetarë abuzojnë me alkoolin dhe bëhen burim aksidentesh. 2 vjet më parë u regjistrua një aksident mjaft i rëndë në aksin Elbasan-Mollas, me pasojë vdekjen e disa shtetasve.